E.Bramollari: Si i shpëtova dhunës nga ish-bashkëshorti
Engjëllushe Bramollari ka qenë për më shumë se 15 vite një grua e dhunuar e cila e vetme, me foshnjën e saj i ka shpëtuar dhunës fizike nga ish bashkëshorti. Jeta e saj i ngjan një drame të vërtetë, ku pasi është larguar nga shtëpia e bashkëshortit të saj, bashkë me djalin e saj gjashtë muajsh, në vitin 2000 ka jetuar në qiell të hapur në mes të acarit për një muaj rresht duke fjetur në rrugë. 50 vjeçarja nga Tirana ju bën apel të gjitha grave dhe vajzave të dhunuara të mos bëhen pre e kërcënimeve dhe ti shpëtojnë dhunës ndaj burrave. Ish bashkëshorti im më ka dhunuar fizikisht dhe në trupin tim kam provuar tortura të vazhdueshme, por kam mbijetuar duke u përpjekur gjithë jetën, kam zgjedhur të vuaja e vetme, të punoja me orë të zgjatura të ushqehesha pak, vetëm për ti siguruar jetën djalit tim që është i vetmi motiv që më mban gjallë, sot jetoj në Itali dhe besoj se ja kam dalë mbanë shprehet 50 vjeçarja e cila sot i ka siguruar jetën edhe djalit të saj, duke i blerë një apartament në kryeqytet.
Si ka qenë jeta juaj, si i keni shpëtuar dhunës nga ish bashkëshorti
Unë quhem Engjëllushe Bramollari, jam 50 vjeçe dikur kam qenë një grua e dhunuar. Kam duruar mbi trupin tim vuajtje të panumërta. Ish bashkëshorti im me ka dhunuar për 7 vite më radhë, pa asnjë shkak. Kam dalë në rrugë të madhe bashkë me foshnjën time, djalin tim që ka qenë vetëm gjashtë muajsh. E gjithë jeta ime deri tani ka qenë luftë. Kam vuajtur shumë, por e vetme ja kam dalë mbanë, kam mbijetuar Tani jam shumë mirë, jetoj në Itali në Xhenova ku i shërbej një gruaje të moshuar Italiane e cila më ka dhënë strehë që prej 9 vitesh. Që 14 vjeçe kam mbetur pa baba jemi rritur 6 fëmijë vetëm me nënën time. Në moshën 16 vjeçe u fejova dhe që prej asaj kohe kam vuajtur shumë. U dashurova në moshë të re më një djalë dhe ky ka qenë gabimi jetës time. Po ti kthehesha pas jetës time, nuk do gaboja përsëri.
Për çfarë arsyesh ju dhunonte bashkëshorti juaj, çfarë vendimi morët më pas?
Ai ka qenë 7 vjet më i madh se unë dhe që në fejesë pa asnjë shkak por i ndikuar vazhdimisht nga nëna e tij më keqtrajtonte fizikisht dhe shpirtërisht. Sapo u fejuam e kuptova që ai njeri ishte gabimi i jetës time dhe e kam menduar shpesh të ndahesha, por për shkak të mentalitetit të asaj kohe dhe familjes nuk munda. Nuk dua ti kujtoj ato momente kur më gjuante me çfarë të kishte në dorë. Nevrikosej pinte dhe gjithë inatin e nxirrte duke më rrahur. Edhe familja e tij nëna, motrat më shanin më keqtrajtonin më keq se më parë. Jam martuar 19 vjeç, dita e dasmës është e vetmja gjë e bukur që mbaj mend nga ajo kohë. Më kujtohet që kam çuar në shtëpinë e burrit gjithë atë pajë, çdo gjë ma bleu mamaja ime, që të jetoja e lumtur por ishte e pamundur. Kur kam qenë 8 muajshe shtatzënë më ka gjuajtur me shkelma në bark aq sa ngela pa frymë dhe deshi zoti që nuk e humba fëmijën tim. Më pas lindi djali, ai moment derisa të kem jetë do të jetë momenti më i bukur i jetës time.
Ku jetuat pas divorcit, si ja dolët e vetme pa mbështetje e më një fëmijë të vogël?
Atë periudhë kam përjetuar varfëri, sëmundje dhe dhimbje pa fund. Nga gjyqi fitova një dhomë në shtëpinë e burrit ku disa herë jam kërcënuar, pasi nuk donin të më shihnin dhe më përzunë . Mbeta e vetme në mes të rrugës, më pas sistemi i asaj kohe më dha një dhomë të vogël ku jetoja me djalin. Më pas edhe asaj dhome i doli pronari dhe kam fjetur e kam jetuar në rrugë të madhe për një muaj rresht. Ka qenë Janar u sëmura bashkë me djalin, isha pa strehë, pa ushqim dhe pa mbrojtje. Disa muaj më vonë, gjeta një plakë të vetmuar në zonën e Ali Demit dhe jetova me të disa vjet duke i shërbyer. Pasi vdiq plaka djali i saj më merr djalin tim në Itali në shenjë mirënjohjeje. Pas disa muajsh shkova tek djali në Itali, jeta ime atje ishte ndryshe. Fati deshi dhe gjeta sërish një plakë Italiane të vetmuar pa fëmijë, që në këmbim të shërbimit më ofroi pagesë, strehim dhe ushqim. ofrova Atje jetoj edhe sot.
Çfarë apeli keni për të gjitha vajzat dhe gratë që dhunohen?
Ju bëj apel të gjitha grave dhe vajzave të dhunuara të mos bien pre e dhunës nga bashkëshortët apo edhe nga persona të tjerë. Të largohen prej tyre, të punojnë dhe ta ndërtojnë jetën e tyre me forcë dhe vuajtje pa ju përulur askujt. Dua tju them vajzave të reja të mos gabojnë në jetën e tyre, të mendohen mirë para së të hedhin një hap, sepse unë gabova dhe ky gabim më kushtoi gjithë jetën time. Unë e vetme ja kam dalë, edhe pse jetova në një sistem të vështirë përsëri arrita të shpëtoja nga dhuna e ish bashkëshortit. Sot jetoj shumë mirë, në Itali me djalin e me nusen, mendoj se ja kam dalë mbanë., bëj një jetë të qetë, në krahasim me atë që kam përjetuar dikur. Ju bëj apel vajzave të reja, të mos e çojnë dëm rininë e tyre, të jenë të pavarura dhe mos ti nënshtrohen askujt, aq më tepër dhunës fizike.