E Shtunë, 31 Tetor 2026

EDI RAMA DHE RRUMPALLA E "POLITIKES SE RE"

Rrallë mund të gjendet një politikan që të manifestojë në mënyrën më arrogante se Edi Rama besimin absurd se mendjet e njerëzve duhet t‘u nënshtrohen pa kushte fjalëve që ai lëshon, madje edhe kur këto fjalë kundërshtojnë njëra-tjetrën. Është tamam arrogancë e prijësit Zeus që bën edhe shiun, edhe diellin, edhe erën. Njerëzit duhet ta besojnë edhe kur pasi ka premtuar se do ta nxjerrë politikën jashtë kutisë së televizorit, bën të kundërtën, futet më përnatshëm në kutinë e televizorit sa ia kalon edhe Berishës. Njerëzit duhet ta besojnë edhe kur pasi bëhet kryetar i partisë më të madhe politike në vend, pra kryepolitikan, nis e thotë se nuk është politikan. Pra njerëzit duhet t‘i pranojnë si të vërteta ato që thotë Rama jo pse janë të vërteta, por për faktin e thjeshtë se i thotë Rama. Tamam një marrëdhënie si ajo që lakenjve të oborrit me Car Nikollën e Rusisë të përshkruar nga Tolstoi. Por fjalët e Ramës, këto kohët e fundit kundërshtojnë aq shumë fjalët e Ramës, sa të biesh dakord me to do të thotë të biesh në kundërshtim me veten tënde, me Ramën vetë, dhe me realitetin. Do të thotë të biesh dakord me rrumpallën.

***

Kur Rama thotë që nuk duhet bërë bojkot, atëherë të gjithë duhet të besojnë që bojkoti është antidemokratik, një armë e politikës së vjetër, tipike për Sali Berishën. Por kur Rama thotë se duhet bërë bojkot, atëherë bojkoti duhet shpallur nga të gjithë si një mjet demokratik. Por kur befas Rama, me vetëbesimin e tij për të ripërkufizuar dukuritë dhe gjërat e kësaj bote, deklaron që bojkoti nuk është bojkot, atëherë të gjithë duhet të besojnë se PS nuk po bojkoton Kuvendin, por po i imponon atij disa kushte nëpërmjet një bojkoti që nuk është bojkot. Dhe të gjithë duhet ta besojnë një të tillë çudi, sepse kështu thotë Edi Rama. Por të besosh që bojkoti nuk është bojkot, është si të besosh që mbreti lakuriq nuk është lakuriq. Me qëndrimin e tij, Rama dëshmon se ka bindjen, ende pa ardhur në pushtet, se shqiptarët janë turma e përulur e përrallës së Andersenit që ishte e tmerruar të pranonte një diçka ashtu siç ishte, që ishte e frikësuar të pranonte që mbreti ishte lakuriq, vetëm e vetëm sepse mbreti thoshte se kish veshur rrobat më të bukura në dynja. Por ndoshta në këtë pikë Rama ndoshta ka të drejtë. Shqiptarët vazhdojnë në shumicë të mos mendojnë me kokën e tyre por të bariut, të liderit. Të mendojnë me kokën e "Ramës". Por ndoshta edhe ekzagjeron këtë dobësi të shqiptarëve, duke besuar se servilizmi që e rrethon në selinë e PS dhe kongreset e saj, karakterizon gjithë shoqërinë shqiptare. Gjithsesi, edhe nëse shqiptarët vazhdojnë të jenë nga ata popuj që Fromm i përkufizon si "dele", a është misioni i një politike të re dhe liderit të saj t‘i ndihmojë të mendojnë vetë, apo të shfrytëzojë paaftësinë e tyre për të menduar? Rama po bën këtë të dytën. Qëndrimi i tij, në fakt jo vetëm i tij, na kujton një thënie të Adolf Hitlerit: "Nuk kam ardhur në këtë botë për t‘i bërë njerëzit më të mirë, por për të shfrytëzuar dobësitë e tyre". Dhe për të mbetur te bojkoti që Rama po udhëheq sot. Kur bojkoti përdoret për një kauzë të drejtë nga opozita, ai është plotësisht i justifikuar, madje shpëtimtar për demokracinë. Në këtë kuptim shfaqen të gabuara edhe sugjerimet e disa diplomatëve në Tiranë, që e përjashtojnë bojkotin si arsenal të një politike demokratike. Por duke qenë një reagim ekstrem, bojkoti duhet të jetë i justifikuar plotësisht dhe qartësisht. Edhe sot, e keqja nuk është te bojkoti në vetvete, por te fakti që Rama nuk ka sjellë prova dhe fakte që të përligjin bojkotin. Rama ka qenë një nga bashkautorët e sistemit zgjedhor, të Kodit, të strukturave zgjedhore, madje ka përshëndetur cilësinë e votimeve në përfundim të tyre. Ndërkaq ka pasur momente, si ai pas tragjedisë së Gërdecit, kur bojkoti për largimin e Kryeministrit ishte shumë i përligjur, por Rama ka refuzuar ta zhvillojë duke e përbuzur si një mjet të politikës së vjetër të Berishës. Sot, askush nuk e kundërshton dot Ramën më ashpër sesa vetë Rama. Rama po shfaqet si një lider i çoroditur që po i bën gjërat më rrumpallë se "Doktori". Ai e anatemon bojkotin kur duhet dhe, ca muaj më vonë, e organizon pikërisht kur s‘duhet.

***

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për protestat që po përflitet se Rama përgatitet të organizojë për të kundërshtuar shkeljen e standardeve të zgjedhjeve. Për një kohë të gjatë protestat kanë qenë një tabu në politikën "e Re" të Edi Ramës. Madje për shumë vjet opozitë thuajse nuk është organizuar asnjë protestë. Nuk u organizuan protesta as atëherë kur qeverisja e Berishës me papërgjegjshmërinë e vet vrau 26 njerëz në Gërdec. Edhe atëherë kur bëhej falë për jetët e humbura të qytetarëve, Rama i konsideroi protestat të papërligjura. Sepse gjoja pengohej hyrja e Shqipërisë për në NATO. Broçkulla! Edhe sot mund të thonë se protestat mund të pengojnë heqjen e vizave për Shqipërinë. Gjithmonë politika mund të sjellë "argumente" në dobi të saj, por jo gjithmonë e vërteta është me atë që thotë politika. Po dobia e Ramës ku është, kur një herë shpall tabu bojkotin dhe më pas e organizon atë, kur mallkon protestat dhe pastaj i nxit ato? Ǒdobi ka Rama dhe PS nga kjo strategji pa strategji, nga kjo çoroditje mjetesh dhe taktikash që ngjason me një rrumpallë të vërtetë? Dhe mbi të gjitha, cili është zembereku, mekanizmi i çartur i kësaj rrumpalle që çfarë refuzoi dje me vendosmëri si politikë të vjetër, e propozon sot me entuziazëm si politikë të re? Përgjigjja është e thjeshtë: interesi i Edi Ramës për të ardhur në pushtet. Nëse dje 26 të vrarët në Gërdec duhej të trajtoheshin si skllevër apo viktima të domosdoshme në themelet e një piramide faraonike (kjo i bie të jetë NATO) dhe prandaj nuk duhej bërë shumë zhurmë dhe protesta për ta, kjo ishte jo sepse Shqipëria pengohej për në NATO sikundër u tha, por sepse Rama mendonte se protestat mund t‘ia vështirësonin rrugën drejt pushtetit. Nëse sot kërkohet që të organizohen protesta, megjithëse askush nuk ka vdekur së fundmi për faj të qeverisë, madje nuk ka as prova për dhunim thelbësor të zgjedhjeve të 28 qershorit, kjo ndodh sepse prijësi Rama do që të ndodhë, sepse kështu është më e përshtatshme për Ramën që të qëndrojë në krye të PS dhe të vazhdojë në ambicien e tij për të kapur pushtetin. Pra në thelb, bojkoti dhe protestat nuk kanë të bëjnë fare me cilësinë e zgjedhjeve. Zgjedhjet mbrohen shumë kohë para ditës së votimeve dhe aq më pak disa muaj pas ditës së votimeve pas pushimeve në Amerikë. Zgjedhjet mbrohen me ca infrastruktura që për 4 vjet me radhë Rama nuk bëri asnjë protestë për të detyruar qeverinë që t‘i ngrinte. Ndaj, nëse pushteti sot i grabit votën, kjo do të thotë se opozita nuk ka qenë e aftë të imponojë ndërtimin e një sistemi që pengon maksimalisht vjedhjen e votës. Rama detyrohet sot të shkojë në bojkot dhe protesta pikërisht sepse nuk ka bërë dje bojkot dhe protesta. Por nëse dje mund të bënte bojkot dhe protesta sepse e drejta qe me të, a e ka sot akoma të drejtë? E drejta nuk është diçka e fiksuar, por lehtësisht e migrueshme. Por mbi të gjitha, është vetë Rama që duke ia mohuar dje vetes pa të drejtë të drejtën për protesta, ia mohon edhe sot. Kështu gjithçka në politikën e re është e destinuar të bëhet rrumpallë, sepse nordi i saj, nuk është ndonjë ide, ideal apo parim i fiksuar, por thjesht një ambicie pushteti e një njeriu dhe një klani rreth tij. Dhe ambicia është dredharake. Ajo pranon si të përligjur atë që i shërben momentalisht, pavarësisht se pak kohë më parë mund ta ketë shpallur të ndaluar dhe të keqe pikërisht sepse nuk i shërbente ambicies. Ambicia është e lëngët, pa formë. Ajo merr formën e enës që i shërben, që e mban. Ajo nuk ka një formë të vetën dhe po ashtu edhe ata që i shërbejnë asaj. Prandaj dhe "politika e re" që formësohet rreth ambicies likuide të liderit, është e dënuar të mbetet një politikë eklektike dhe pa formë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›