E Diel, 1 Nëntor 2026

Minat me sahat, prokuroria: Mediu po gënjen

Prokuroria reagon fort për deklaratën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, se fabrika e Gërdecit mund të ketë shpërthyer nga dy mina ma sahat. Zëdhënësja për shtyp e akuzës qendrore, Holta Zhiti, në një prononcim për gazetën "Shqip" tha zyrtarisht se shkaku i ngjarjes së Gërdecit është i pasqyruar në kërkesën për gjykim, e cila ka ardhur si pasojë e një pune njëvjeçare të prokurorisë, teksa ka verifikuar të gjitha informacionet që vinin nga institucionet e drejtësisë. "Në përgjigje të diskutimeve në media në lidhje me shkaqet e ngjarjes së 15 marsit në Gërdec, prokuroria sqaron se qëndrimi i saj në lidhje më këtë çështje është i prezantuar në kërkesën për gjykim, e cila është rezultat i hetimit të plotë dhe të gjithanshëm", tha Zhiti. Në kërkesën për gjykim janë pasqyruar në një paragraf arsyet e shpërthimit, teksa ekspertët amerikanë, përcaktuan se vatra e zjarrit që solli shpërthimin e mbetjeve të municioneve që demontoheshin në fabrikë kishte ardhur si pasojë e saldimit të një karroce dore, ku transportohej baruti.

Shkaqet e shpërthimit

Sipas dosjes së prokurorisë për ngjarjen e Gërdecit, që tashmë po endet sa në njërën gjykatë në tjetrën, pasqyrohet se më datë 15 mars 2008, rreth orës 12:00, sapo kishte filluar pushimi i drekës, disa punëtorë kanë filluar me nxitim transportimin e barutit, i cili ishte i paketuar në thasë plastikë i ndodhur në natyrë, në një sasi të madhe në e sheshin e kapanonit. Ndërkohë, në këtë ambient janë shfaqur flakët e para, pranë një karroce, e cila ka qenë e ngarkuar me disa thasë me barut, pranë një grumbulli thasësh baruti. Sipas hetimeve, kjo karrocë përdorej nga grupi i punës i të ndjerit Qemal Deliu. Nga provat e grumbulluara ka rezultuar se kjo karrocë është salduar nga i ndjeri Qemal Deliu në banesën e tij, disa minuta para se të shfaqej zjarri. Zjarri ka filluar të përhapej me shpejtësi në drejtim të kapanonit. Punëtorët, duke parë se ishte e pamundur që të shuhej kjo vatër zjarri kanë filluar të largohen nga dy drejtime kryesore që ishin porta e hyrjes në ndërmarrje dhe nga një portë anësore e kapanonit. Në këto momente ka ndodhur shpërthimi i parë në sheshin para kapanonit, i cili është pasuar nga shumë shpërthime të tjera të njëpasnjëshme, për shkak të sasive të mëdha të barutit të depozituar, si në ambientet para dhe brenda kapononit, ashtu dhe në të gjithë territorin e "Ish-Brigadës së Tankeve" ku ushtronte aktivitetin shoqëria ALBADEMIL sh.p.k.

Verifikimet e varianteve

Pas ngjarjes së Gërdecit, Prokuroria e Përgjithshme u angazhua totalisht për gjetjen e shkaktarëve, ku nuk u la pas dore as një dekonspiracion i mundshëm. Vetë Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në një dalje publike, do të deklaronte se "po hetojmë edhe variantin për një konspiracion ndaj shtetit shqiptar". Megjithatë, hetimet përcaktuan se shkaku ishte saldimi i një karroce dore, ndërsa u provua se të pandehurit Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli dhe Sokol Ngjeçi, kanë organizuar dhe realizuar procesin e çmontim-çmilitarizimit të municioneve, pa pasur ndonjë akt apo rregullore për procedurat standarde të sigurisë, rregullore të mbrojtjes kundër zjarrit, rregulloret për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punonjësve e më gjerë, si dhe në mungesë të standardeve minimale të sigurisë, duke bërë që ky proces të jetë kaotik dhe jashtë çdo standardi sigurie. Akuza thotë në dosje se të pandehurit, me dashje dhe në bashkëpunim kanë organizuar dhe realizuar furnizimin dhe administrimin me municione luftarake të kalibrave 7.2 mm - 152 mm dhe kanë organizuar realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të tyre, duke shpërfillur në mënyrë të hapur standardet minimale të sigurisë në këtë fushë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›