E Diel, 1 Nëntor 2026

EDUARDO DE FILIPO, Minga: "Filumena Marturano", drama napolitane i përshtatet aktualitetit

/>Regjisori zbulon detajet e vënies në skenë të dramës së autorit napolitan të viteve '50 dhe paraqet aktorët që do ta luajnë, Intervistoi: Julia Vrapi

Filumena Marturano, kryevepra e dramaturgut, Eduardo de Filipo, do të jetë premiera e re teatrore për vitin 2009. Ngjarja në dramë vendoset rreth një gruaje ish-prostitutë, e cila prej njëzet e pesë vjetësh jeton në shtëpinë e Domeniko Sorianos, një napolitan borgjez. Ajo ka rritur në sekret të plotë tre fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pas një bashkëjetese prej shumë vitesh, ajo e detyron  atë të martohet me të zyrtarisht, duke e gënjyer sikur ishte në prag të vdekjes! Vepra vjen në skenën teatrore nën regjinë e Albert Mingës, dhe me interpretimin e emrave më në zë të teatrit si: Tinka Kurti, Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Fadil Kujovska, Arben Derhemi, Neritan Liçaj etj. Drama e shkruar në vitin 1944, do të realizohet me skenografi të mjeshtrit të skenës, Agim Zajmi. Në një intervistë dhënë për gazetën regjisori Minga zbulon detajet e realizmit të shfaqjes, përzgjedhjen e aktorëve si dhe mesazhin që vepra do të përcjellë për publikun.

 
-Riktheheni këto ditë janari me një tjetër projekt teatror, që mban firmën e dramaturgut Eduardo de Filipo? Pse e bëtë këtë zgjedhje?

Përvoja me shfaqjen Pamje nga ura thelloi më shumë konceptin me zgjedhjen repertorit në dramaturgjinë e huaj. Vepra që unë do të vë në skenë nuk do të jetë vetëm për të kënaqur shijet  dhe gustot e regjisorit, por gjithçka duhet parë në funksion të spektatorit. Ky i fundit në sallë duhet të përjetojë emocione të veprës që ndjek në skenë. Nëse nuk ekziston ky përjetim emocional midis sallës dhe spektatorit atëherë ai do të jetë i ftohtë dhe do ta shohë shfaqjen vetëm për respekt, por nëse drama dhe hallet që kanë personazhet janë dhe probleme  të spektatorit atëherë ndodh shkrirja e natyrshme midis skenës dhe teatrit. Kjo më udhëheq mua si regjisor mbi përzgjedhjen e një vepre, që vë në skenë.

-Cila është historia që vjen në dramën Filumena Marturano?

Filumena Marturano, kryevepra e dramaturgut Eduardo de Filipo, është historia dramatike e një ish prostitute e cila në mënyrë të paligjshme ka tre djem dhe bashkëjeton me Domeniko Sorianos gati si një bashkëshorte e tij, por që nuk është kryer akoma akti i domosdoshëm për ti quajtur burrë dhe grua. Filumena bën sakrifica për të rritur këta djem, ku një njëri është dhe i biri i Sorianos. Në këtë përjetim emocional që gjen Filumena për të ndërtuar të ardhmen e tyre duke luftuar me paragjykimet, bën që në finalen e dramës të ndodhi martesa e vërtetë me Domenikon, po që krushq janë tre djemtë e saj dhe kjo është një gjetje gjeniale e Eduardo de Filipes. Filumena për të legjitimuar djemtë e saj, ajo improvizon një kurth ndaj Domenikos, sikur ajo po vdiste, në mënyrë të tillë që të kurorëzonte bashkëjetesën me të. Por kjo ishte vetëm një lojë, sepse ajo çdo gjë e bën për të ardhmen e djemve të saj.

-Cili është mesazhi i veprës?

Filumena Marturano është triumf i dashurisë, është një histori madhështore njerëzore dhe sfilitëse.

-Sa aktuale vjen me realitetin shqiptar?

 Realiteti shqiptar është i mbushur me histori Filumenash, të cilat për arsye të ndryshme janë të detyruara që të mohojnë pjellat e dashurisë së tyre. Gra të cilat janë të detyruara të mohojnë fëmijën e tyre, të mohojnë gjakun e tyre, ose të bëjnë kompromise të cilat në fund e bëjnë jetën pa vlerë. Në këtë koncept Filumena është heroinë, sepse hap pas hapi gjatë shfaqjes do të zbulohet një femër me kurajo, një femër e cila lufton për dinjitetin, jo vetëm të vetes së saj, por dhe të djemve që ajo ka rritur me aq sakrificë. Vera vjen aktuale dhe mendoj se do të krijojë po atë impakt që pati tek spektatorët drama Pamje nga ura.

-Filumena do të interpretohet nga aktorja Yllka Mujo. Çfarë vlerësoni tek kjo aktore?

Për mua kjo aktore ka përshtatshmëri të jashtëzakonshme me figurën, por ajo është dhe një aktore me diapazon, me një botë të madhe shpirtërore dhe me një potencial të madh aktoresk. Me gjithë vështirësitë që ka ky personazh i shkëlqyer, i dalë nga pena e de Filipos, unë jam i bindur se ajo me mundësitë e saj aktoreske do të arrijë të nxjerrë një Filumenë të nivelit të lartë.

-Në skenën teatrore ju riktheheni me një vepër, e cila prek një temë sociale për shoqërinë, ndërkohë që një vit më parë ju realizuat shfaqjen Pamje nga ura, e cila kishte një qendër të saj një plagë të shoqërisë, siç është emigracioni? Pse bëni zgjedhje të tilla?
 
Teatri do ta kryejë funksionin e vet nëse ai merret me problemet që shqetësojnë shoqërinë sot. Spektakli teatror nuk ka qëllim në vetvete vetëm për të demonstruar vlerat profesionale të një krijuesi. Kur themi që duhet ta ndjekë publiku nuk duhet të flasim për shfaqje abuzuese, por për drama të cilat janë njerëzore, kanë emocione dhe hallet  e personazheve, dilemat , dashuritë, urrejtjet janë ato që kanë dhe njerëzit në jetën e përditshme. Nëse teatri nuk kryen këtë funksion, që ai ti shërbejë shoqërisë atëherë teatri do të ishte zhdukur me kohë. Pra teatri si çdo fushë tjetër e krijimtarisë artistike shërben për ti ofruar spektatorit mundësi për të krijuar një katarsis me atë që sheh para vetes së vet. Kur e bën këtë atëherë dhe shfaqja e teatrit e ka kryer funksionin e vet. Unë do të thosha që ky është koncepti filozofik i zgjedhjes së repertorit nga ana ime si krijues. Duke qëndruar gjithmonë tek përzgjedhja e dramaturgjisë së huaj, në momentin që përjeton sot shoqëria shqiptare do të zgjedhësh atë vepër të cilën e ndjen sa më afër vetes spektatori.  

-Pas shfaqjes Pamje nga ura sërish skenografia mban emrin e Agim Zajmit. Çmund të na tregoni rreth bashkëpunimit tuaj?

Është një bashkëpunim i këndshëm krijuesish, që buron nga mënyra të njëjta dhe nga shije dhe mjete të njëjta të perceptimit figurativ të shfaqjeve teatrore. Unë me Agimin merremi vesh dhe kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Mes nesh ekziston marrëveshja që duhet mes specialistëve të teatrit. Ekziston një ndërthurje profesionesh në mënyrë të tillë që çdo profesion të japë maksimumin në shfaqje.

-Kur do të ngjitet në skenë për publikun Filumena Marturano?
 
Mendoj se drama, do të ngjitet në skenën teatrore nga fundi i muajit shkurt.

-Regjisori Albert Minga pas Pamje nga ura çfarë i premton publikut?
 
Në art nuk është si në shkencat ekzakte, por unë them që spektatori do të bëjë mirë ta ndjekë këtë shfaqje sepse aty do të gjejë vetveten. Do të ketë momente që do të emocionohet, por edhe do të qeshë. Publiku do të provojë emocionet që ka nevojë të ndjejë një njeri i cili jeton në një kohë të ashpër, në një kohë të vështirë për të jetuar dhe do të shikojë një botë tjetër. Nëse ne do të arrijmë të bëjmë një shfaqje spektakël, një shfaqje ansambël ku çdo aktor, jo vetëm ai kryesor do të arrijë të shprehet për mua kjo do të ishte momenti më i lumtur. Kam aspiruar gjithmonë për shfaqje teatrore ansambël. Ky është koncepti në shijen time i një teatri bashkëkohor dhe modern. Me Filumenën ashtu si shumë vepra të tjera të arrira, ndonëse janë shkruar në një hapësirë kohe të largët nga një realitet që ne jetojmë sot, fakti që ne tentojmë të vëmë këto vepra në skenë dëshmon që në këto vepra tek artistët e mëdhenj që i thyejnë dimensionet kohore të gjejmë pika kontakti me të cilat mund të bashkëbisedosh. Kjo vepër megjithëse është shkruar në vitin 1944 vazhdon të vihet me sukses të jashtëzakonshëm në shumë skena evropiane, por edhe ato botërore. Kështu në muajin nëntor u shfaq me sukses nga regjisori i famshëm Françesko Rozi ku protagoniste ishte Lina Sastri, po ashtu vazhdon të luhet me sukses  në Londër me aktorët Judi Dench,  Michael Pennington, pra kjo vepër rezonon mesazhe dhe emocione të cilat do të ekzistojnë për aq kohë sa të ekzistojë dhe shoqëria njerëzore. Ky është funksioni dhe vlera e veprave të vërteta të artit. Aktualitetin e veprës e nxjerrin në pah mesazhet, niveli artistik dhe tingëllimi emocional i saj.

***************************

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›