EGJIPT – Blinken dhe al-Sissi diskutojnë përpjekjet e fundit të armëpushimit në Gazë

KAJRO, 20 gusht /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken diskutoi raundin e fundit të negociatave të armëpushimit në Gazë me presidentin egjiptian Abdel-Fattah al-Sissi në qytetin bregdetar verior, Al-Alamein.
“Blinken e informoi al-Sissin mbi rezultatet e vizitës së tij në Izrael, duke theksuar angazhimin e SHBA-së ndaj përpjekjeve për të arritur një marrëveshje në Rripin e Gazës”, tha presidenca në një deklaratë.
Al-Sissi paralajmëroi për pasoja “të vështira” të zgjerimit të konfliktit në rajon, duke thënë se ndalimi i gjakderdhjes duhet të jetë shtytësi kryesor për të gjitha palët.
Presidenti tha gjithashtu se armëpushimi në Gazë duhet të jetë fillimi i njohjes më të gjerë ndërkombëtare të shtetit palestinez dhe zbatimi i zgjidhjes me dy shtete, duke shtuar se kjo do të ishte garancia kryesore për stabilitetin në rajon.
Blinken ishte dje në Izrael dhe pritet të udhëtojë në Katar pas takimeve të tij në Egjipt. //a.i/