E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vlerësoj kompromisin për reformën zgjedhore, heqja e imunitetit do të jetë një arritje e madhe”

15-07-2012 / Gazeta 55

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Muller-Holtkemper

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Muller-Holtkemper vlerësoi dje kompromisin e arritur për reformën zgjedhore në Shqipëri, ndërsa e cilësoi heqjen e imunitetit një arritje të madhe, nëse miratohet më 6 gusht 2012 në Kuvend. Ajo është shprehur e kënaqur për kompromisin e arritur, lidhur me reformimin e kodit zgjedhor, edhe pse ndodhi në limitet kohore.
“Jemi të kënaqur që Kodi Elektoral u reformua brenda afatit të përcaktuar, edhe pse kjo ndodhi në limitet e fundit. Qëllimi i këtij kodi është që të jetë i barabartë për të gjitha forcat politike, megjithëse është e kuptueshme që partitë e vogla të kenë pakënaqësi. Këto ankesa duhet të diskutohen më vonë, por për momentin e rëndësishme është baza për zgjedhje të qëndrueshme në 2013-ën dhe kodi i përmban disa kontrolle dhe pika të cilat lejojnë ose mundësojnë që zëri i popullit të përfaqësohet në një barazi më të madhe”, deklaroi Myler Holtkemper.
Në një deklaratë për mediat nga Dardha e Korçës, ku ndodhej për një vizitë, Holtkemper vlerësoi se Shqipëria është në rrugën e duhur, dhe se janë 12 rekomandime për t’u plotësuar dhe ka ende punë për t’u bërë për marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Raporti i fundit i progresit për Shqipërinë është si ai i mëparshmi, që kërkon të plotësohen 12 rekomandimet. Për momentin mund të them se është bërë progres në disa prej tyre, por ka ende shumë për t’u bërë, veçanërisht në fushën e ligjit dhe gjykatave, luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Jemi në rrugën e duhur, por realizimi i objektivave kryesorë mungon ende”, theksoi Myler. 
Sa për çështjen e imuniteteve ajo tha se, “Tashmë ka një draft dhe që po shoqërohet edhe me debate. Mendimi im është që drafti të kalojë në Parlament në 6 gusht edhe të miratohet”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›