“Kompromisi për reformën zgjedhore, provë për vitin 2013”
Konventa e LSI, flet nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një deklaratë për mediat dje, ka folur për Konventën e LSI-së e cila do të mbahet në shtator, ku do të zgjidhet edhe kryetari i saj, sipas parimit “Një anëtar, një votë”.
Në cilësinë e kryetarit të komitetit drejtues të konventës së LSI-së, Vasilli është shprehur se në këtë konventë janë 1508 delegatë, nga të cilët 30 për qind janë nga Lëvizja Rinore për Integrim dhe 30 për qind nga Lëvizja e Gruas për Integrim, duke theksuar se të rinjtë dhe gratë kanë një rol të rëndësishëm në vendimmarrje, formulë kjo që sipas
Vasilit është e pa-aplikuar më parë.
“Në mënyrë përfundimtare numri i delegatëve në këtë konventë do të jetë 1508 nga të cilët 30 për qind e përfaqësimit do të jetë nga Lëvizja Rinore për Integrim, 30 për qind do të jetë nga Lëvizja e Gruas për Integrim dhe 40 për qind do të jetë nga strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo formulë e re, shumë stimuluese e pa-aplikuar kurrë më parë në gjithë spektrin e politikës shqiptare, në kuota përfaqësimi të detyrueshme për të gjitha këto organizata tepër të rëndësishme dhe përfaqësuese jo vetëm të strukturave tona politike, por gjithë shoqërisë shqiptare shënon një risi e cila demonstron qartë nevojën e domosdoshme për përfshirjen intensive në jetën politike dhe vendimmarrjen politike të të rinjve dhe grave. Gjithashtu, lidhur me propozimet për në organet drejtuese, 15 për qind e listave propozuese do të hartohen pikërisht nga këto dy organizma të rëndësishme, themelore dhe partnere të Lëvizjes Socialiste për Integrim”, u shpreh Vasili.
Gjatë konventës së LSI-së do miratohet programi i ri i LSI-së dhe ndryshimet në statut, që sipas nënkryetarit Vasili do të rritet gjithmonë e më shumë shkalla e përfaqësimit, ndërsa edhe vetë kuotat e përfaqësimit të delegatëve do jenë të lidhura me rezultatet e përfituara.
“Gjithashtu po në këtë Konventë do të miratohen edhe ndryshimet edhe pasurimet e reja që statuti i Lëvizjes Socialiste për Integrim do të ketë duke rritur gjithmonë e më shumë shkallën e përfaqësimit dhe lidhjen gjithmonë e më shumë të përfaqësimit me rezultatet e përftuara në të gjitha sfidat elektorale të radhës. Edhe vetë kuotat e përfaqësimit të delegatëve në Konventën Kombëtare do të jenë të lidhura pikërisht me rezultatet e përftuara në vitin 2009 dhe 2011 dhe ky do të jetë kriteri i përfaqësimit të anëtarësisë në Konventë, duke e lidhur më së miri produktin politik të përftuar nga organizmat politike përfaqësuese tona dhe të drejtën e tyre për të qenë pjesë e vendimmarrjes së rëndësishme të LSI-së. Në konkluzion, me përfundimin e Konventës Kombëtare të 29 shtatorit 2012 Lëvizja Socialiste për Integrim ka të organizuar të tërë aparatin e saj organizativo- politik në funksion të zgjedhjeve dhe ajo mund të thotë me bindje të plotë që i tërë veprimi i saj në nivel kapilar tashmë është i garantuar, kualitativ, përfaqësues dhe garantues për ato objektiva madhore që LSI ka për këto zgjedhje të cilat nuk janë të lidhura vetëm me realizimin e këtyre objektivave në përputhje me programin e saj, por janë realizime që do të vazhdojnë të jenë kontribute të rëndësishme pozitive si edhe deri më sot për të ardhmen e Shqipërisë dhe gjithë atyre aspiratave që shqiptarët kanë formuluar për veten e tyre”, tha ai.
Gjithashtu nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili foli edhe për kompromisin e arritur për reformën zgjedhore, të cilin e quajti një provë serioze për zgjedhjet e 2013-ës. “Gjithmonë arritja e një kompromisi ka një anë që unë do ta konsideroja pozitive në planin politik sepse në fund të fundit përmbush në një farë mënyre një nga kushtet që e lidhin Shqipërinë me procesin e përftimit të statusit të vendit kandidat dhe ne së bashku sot mund të themi që kemi një kusht të realizuar. Por, nuk jemi të bindur se a kemi të njëjtën përgjigje për cilësinë e tij. Tashmë kompromisi është arritur dhe ky kompromis ka një provë serioze, një provë të së vërtetës në zgjedhjet e vitit 2013, ku ne të gjithë së bashku do të kemi mundësi të shikojmë që ky Kod me këto ndryshime, ky Kod i arritur përmes këtij kompromisi të vështirë dhe mjaft të zgjatur dhe të tepruar në kohë, a do t’i rezistojë provës së zgjedhjeve me sukses? Pra, për të prodhuar zgjedhje të pakontestuara, zgjedhje të administruara mirë, zgjedhje që prodhojnë rezultatin në një kohë të shpejtë dhe të cilat mundësojnë ndërtimin e qeverisjes në kohën më të shkurtër. Sigurisht, këto janë pyetje, përgjigjen e të cilave ne do ta marrim në vitin 2013, duke mbetur gjithsesi të bindur që ajo që kishte lidhje me kriteret e përfaqësimit dhe përafrimit gjithmonë e më shumë të përfaqësimit të votës dhe barazisë saj, për të cilën ne nuk mendojmë se ka pasur ndryshime thelbësore që do të na thoshin sot që ne kemi një përmirësim rrënjësor në këtë gjë. Megjithatë, zgjedhjet e 2013 janë aty dhe prova e së vërtetës është aty”, tha Vasili.
Konventa e LSI-së përfundon më 29 shtator me zgjedhjen e kryetarit të saj dhe me përfundimin e aparatit organizativ për zgjedhjet.