E Hënë, 2 Nëntor 2026

EKSKLUZIVE/ U akuzuan se policia dhunoi familjen shqiptare në doganë, reagon Ministria e jashtme Sllovene

Pak ditë më parë u bë virale në mediat online një video ku shihet konfrontimi i policisë doganore Sllovene me disa shtetas shqiptarë. Këta të fundit ngritën pretendimin se ishin dhunuar nga policia Sllovene.

Në një reagim zyrtarë për gazetarin e Vizion Plus Ermal Qori, Ministria e Punëve të Jashtme Sllovene njofton se  është ngritur komisioni për të kryer ekspertizë që shqyrton rrethanat e ngjarjes, ndërsa mohon të jetë ushtruar dhunë ndaj dy shtetasve shqiptarë, duke shtuar se ata u zhvendosën nga rruga për shkak të bllokimit të qarkullimit.

“Pas kontrollit kufitar në bazë të dokumenteve të dorëzuara prej tyre, në pikën e sipërpërmendur, zyrtarët kufitarë kanë konstatuar se dy shtetasit shqiptarë nuk i plotësonin kushtet për hyrje në territorin e Republikës së Sllovenisë. Ata nuk arritën të prodhonin dokumentet e kërkuara siç kërkohet me ligj. Prandaj, hyrja e tyre u refuzua. Si rezultat i protestës për refuzimin e hyrjes së tyre në Republikën e Sllovenisë, ata filluan të pengojnë qarkullimin rrugor në zonën e kalimit kufitar duke i parkuar automjetet e tyre në shiritin e hyrjes, pra në afërsi të kabinës së kontrollit kufitar policor. , dhe kanë lënë automjetet e tyre atje. Duke qenë se nuk janë pajtuar me refuzimin e hyrjes, kanë refuzuar t’i largojnë automjetet e tyre nga korsia e hyrjes, duke penguar kështu hyrjen e pasagjerëve të tjerë në territorin e Republikës së Sllovenisë”

Më tej ministria e Jashtme Sllovene shton.

“Për më tepër, duke qenë se dy shkelësit që ndodheshin në procedurë policore nuk kanë zbatuar udhëzimet dhe urdhrat e punonjësve të policisë të ngarkuar me kryerjen e kontrollit kufitar, punonjësit e policisë i kanë gjobitur edhe për shkelje të ligjit të kontrollit të kufirit shtetëror. Gjobat janë paguar nga shkelësit në vendin e ngjarjes së kundërvajtjeve të konstatuara. Dy shkelësit më pas kanë marrë dokumente shtesë, duke vërtetuar kështu kushtet e nevojshme për hyrje në territorin që i përket Republikës së Sllovenisë. Pas përfundimit të procesit të verifikimit të dokumenteve dhe shlyerjes së gjobës së vendosur, punonjësit e policisë i kanë lejuar ata të hyjnë në Republikën e Sllovenisë.”

Drejtori i Drejtorisë së Policisë Koper ka urdhëruar ekspertizë, në kuadër të së cilës Komisioni do të shqyrtojë të gjitha rrethanat e kësaj procedure.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›