EMA: Përfshirja e të rinjve në pushtetin vendor

Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) sot organizoi në universitetin e Shkodrës "Luigj Gurakuqi" një leksion publik. Ky leksion u zhvillua në kuadër të projektit "Rritja e demokracisë pjesëmarrëse në nivel vendor përmes edukimit të të rinjve dhe përfshirjes së tyre në qeverisjen vendore" ku e ftuar speciale ishte Carola Mueller-Holtkemper, Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri.
Leksioni u hap me fjalën përshëndetëse të prof. Gaspër Kokaj, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Shkodër, i cili theksoi rolin e këtij institucioni në edukimin e studentëve për të qenë qytetarë aktivë. Universiteti stimulon studentët që të organizohen dhe të marrin pjesë në jetën publike bazuar kjo edhe në ligjin për arsimin e lartë, i cili lejon organizimin e studentëve në shoqata, grupe apo formacione të ndryshme. Kokaj nënvizoi rëndësinë e të drejtës së votës më shumë sesa një e drejtë kushtetuese si një angazhim dhe detyrim moral ndaj komunitetit. Ai inkurajoi dhe mbështeti pjesëmarrjen e të rinjve në procesin zgjedhor si një tregues i qytetarisë.
Gledis Gjipali, Drejtori Ekzekutiv i EMA-s bëri një prezantim të shkurtër të projektit "Rritja e demokracisë pjesëmarrëse në nivel vendor përmes edukimit dhe inkurajimit të përfshirjes të të rinjve në qeverisjen vendore", mbështetur nga National Endoëment for Democracy (NED). Gjatë fjalës së tij, Gjipali theksoi rolin dhe vëmendjen që EMA i kushton edukimit qytetar të brezit të ri duke krijuar tashmë një traditë. Ai përmendi se projekti aktual nuk është një rastësi, përkundrazi ai është vazhdimësi e iniciativave të mëparshme që EMA ka ndërmarrë në këtë drejtim. Aktualisht EMA është duke organizuar një fushatë ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese në kuadër të rritjes së pjesëmarrjes së të rinjve në zgjedhjet lokale. Pjesë e kësaj nisme është edhe organizimi në bashkëpunim me bashkitë e disa qyteteve kryesore të Shqipërisë, i vizitave studimore në institucionet e pushtetit vendor.
Ambasadorja Mueller-Holtkemper, u ndal në mënyrë të veçantë në domosdoshmërinë e krijimit të një brezi të qytetarëve të rinj aktiv në jetën publike. Në këtë kontekst, ajo iu referua situatës para zgjedhore në të cilën ndodhet vendi duke u shprehur: "Shqiptarët dhe veçanërisht të rinjtë duhet të angazhohen në zgjedhjet e ardhshme lokale, pasi demokracia fillon pikërisht nga pushteti vendor". Ajo theksoi se lajmet e fundit, që konfirmojnë mos respektimin nga ana e partive politike të kuotës ku 30% e kandidaturave duhet të jenë femra, janë shqetësuese për demokracinë.
"Unë gjej rastin të inkurajoj të gjitha forcat politike të përfshinë sa më shumë femra në listën e kandidatëve për organet e pushtetit vendor. Ashtu sikurse inkurajoj nga tjetër femrat që aktivisht të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe në politikë në tërësi".
Gjatë fjalës së saj Ambasadorja Gjermane u shpreh se zgjedhjet lokale të 2011, duhet të përmbushin standardet më të larta si në aspektin teknik ashtu edhe atë politik, që Shqipëria ka njohur gjatë këtyre viteve.
Në aspektin teknik, vendi duhet të dëshmojë se janë ndërmarrë të gjitha procedurat teknike për realizimin e një procesi zgjedhor sa më korrekt. Ndërsa në aspektin politik, mos realizimi i zgjedhjeve lokale brenda standardeve do të sillte pengesa për procesin e Integrimit Europian të Shqipërisë. Ndaj në këtë kuadër, zgjedhjet elektorale të 2011, janë të rëndësishme. Ambasadorja Mueller-Holtkemper përshëndeti organizimin e këtij aktiviteti dhe në këtë kontekst nënvizoi se ka vetëm një mënyrë për të zhvilluar shoqërinë civile në Shqipëri. "Vetëm kur ju bëni zërat tuaj të dëgjohet, atëherë ju keni një shans për të arritur qëllimet tuaja" përfundoi fjalën e saj Ambasadorja Gjermane.