E Enjte, 5 Nëntor 2026

EMRAT/ Prindërit dhanë jetën në krye të detyrës, kush janë 11 fëmijët e heronjve që morën statusin e përkujdesjes nga shtetit

Prindërit e tyre, tashmë të shpallur heronj, kanë humbur jetën në shërbim të kombit shqiptar dhe në nderim të kontributit të tyre të çmuar për vendin, fëmijët e tyre janë marrë në përkujdesje nga shteti. Janë 11 fëmijë të 7 heronjve që morën statusin e përkujdesjes së Republikës.

Nga fëmija e mjekut të njohur që humbi jetën nga COVID, Drini Dobi e deri tek fëmija i mitur i Arjan Salës që humbi jetën mes flakëve për të shpëtuar kolegët e tij të bllokuar, ja kush janë 11 fëmijët e parë që morën personalisht nga kryeministri Rama statusin e “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.   

David Dobi, djali i Drini Dobit, mjekut i cili ndërroi jetë në 9 dhjetor 2021 si pasojë e COVID-19 në moshën 51- vjeçare. Dobi ishte njëri ndër mjekët neurologë më të mirë në Shqipëri. 

Akil dhe Vivian Nini, fëmijët e Bledi Ninit, mjekut Otorinolaringolog në QSUT i cili ndërroi jetë në 25 nëntor 2020 si pasojë e COVID-19 në moshën 48-vjeçare.

Klajdi Shabani, djali i Kujtim Shabanit, mjeku nga Korça i cili ndërroi jetë në 12 korrik 2021. Ai humbi jetën për shkaqe natyrale gjatë kohës që ka qenë me pushime me familjen në plazhin e Radhimës në Vlorë. 

Egi Vogli, djali i kapiten Feti Vogli, i cili në 20 shkurt të vitit 2012 vogli ra heroikisht gjatë kryerjes së misionit COMBAT “Eagle 4”, në Kandahar të Afganistanit. Ai është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

Jehona, Klea dhe Fjolla, vajzat e ushtarakut Florian Deliaj i cili ndërroi jetë në 6 prill 2016. Ai  humbi jetën pasi helikopteri i Forcave të Armatosura  u rrëzua në ujërat e Liqenit të Shkodrës.

Keisjon Bruçi, djali i Petrit Bruçit, ish-ushtarak u cili ndërroi jetë në 9 qershor të vitit 2014. Bruçi humbi jetën në një aksident rrugor në Krujë, teksa po udhëtonte me një kamion ushtarak.

Aron Sala, djali i Arjan Salës, i cili ndërroi jetë si pasojë e zjarrit në 24 mars 2021 që ra në magazinën e një qendre tregtare. Ai hyri mes flakëve për të shpëtuar kolegët e tij, por nuk mundi të dilte më i gjallë, trupi i pajetë u gjet pas 3 ditësh. Arjan Sala mban titullin “Dëshmor i Atdheut”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›