EMRI/ Kush është viktima e atentatit në Rinas, “krahu i djathtë” i Shullazit

Një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur pasditen e sotme pranë aeroportit të Rinasit.
Mësohet se, një makinë Toyota me targa greke, ka qëlluar në lëvizje ndaj automjetit tip Mercedes Benz me targë AB 099UO, në pronësi të Elvis Kosovës, një personazh ky i dënuar korrupsion ndaj bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur vetëm 100 metra larg aeroportit të Rinasit, në një zonë me trafik të lartë dhe shumë të populluar.
Forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe ato RENEA kanë shkuar në drejtim të Fushë Krujës ku dyshohet ku mund të jenë larguar autorët.
Njoftimi paraprak i policisë mbi ngjarjen:
Rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi në afërsi të aeroportit, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt automjetit me të cilin po lëviznin shtetasit M. Sh., rreth 40 vjeç dhe G. D., rreth 47 vjeç.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi G. D. dhe është plagosur shtetasi M. Sh., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetsore.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë punën për kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.


Po kush është viktima Gilmando Dani?
47-vjeçari Gilmando Dani, i cili i ka shpëtuar atentateve të mëparshme, (2011 dhe 2015) është konsideruar gjithnjë si person i rrezikshëm për shkak të ekspozimit të tij të shpeshtë në episode të përbashkëta me Emiljano Shullazin.
Duke qenë gjithnjë “nën hundën” e policisë, Dani është kontrolluar shpesh për vepra penale, konkretisht në gusht të 2009 pas vrasjes së 4 efektivëvë të policisë në Durrës nga Dritan Dajti. Asokohe, Prokuroria e Krimeve të Rënda i bllokoi Danit pasaportën për disa ditë.
Po kështu, më 23 prill 2011, gjatë fushatës elektorale, Gilmando Dani u shoqërua në Policinë e Tiranës pasi ndodhej në vendin e ngjarjes ku Emiljano Shullazi pengoi një miting të Partisë Socialiste në Njësinë Bashkiake Nr. 7 në kryeqytet.
Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, kërkoi ndërhyrjen e policisë, e cila ndaloi Shullazin dhe shoqëroi Danin.
Megjithatë, precedenti i parë zyrtar i Gilmando Danit daton më 11 shkurt 2006, kur ai ra në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimit në mungesë të dhënë ndaj tij me një vit burg për akuzat “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “kanosje në bashkëpunim”. Arrestimi ndodhi nga forcat speciale të policisë, RENEA, të cilat, bashkë me Gilmando Danin vunë në pranga edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe D. Hate.
Gjatë këtij aksioni, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshi pistoleta automatike tip “Skorpions” me silenciator, dy automatikë prodhim kroat e kallashnikov, radio komunikimi me distancë të afërt, radio përgjuese të valëve të strukturave të Policisë (në Tiranë dhe rrethe), fenelinë policie, dylbi speciale për shikim natën, dylbi të zakonshme si dhe maska, doreza dhe pajisje të tjera kamuflazhi.
Në 2016, Dani u arrestua sërish, i akuzuar për disa vepra të rënda penale.
Ai u dënuar me 12 vjet burgim për “pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, nëpërmjet vendimit nr. 122, datë 13 nëntor 2018, ndër të tjera, ka vendosur: “Deklarimin fajtor të të pandehurit Gilmando Dani, për kryerjen e veprës penale “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në dëm të shtetasve Ylvi Beqja dhe Jani Zaka, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe e dënon atë me 12 vjet burgim”.
