EPS ia humb KEK’ut 2 milionë
Korporata Energjetike e Kosovës po i humb rreth 2 milionë euro në muaj nga një kyçje që i është mundësuar korporatës serbe, “Elektro Privreda” në nënstacionin e KEK’ut në Vallaq. Kjo ka bërë që veriu i Kosovës dhe një pjesë e Serbisë të marrin rrymën e Kosovës dhe ta faturojnë në Serbi.
Kështu kanë deklaruar udhëheqësit e korporatës, për Radio Kosovën. Sipas tyre, rryma të cilën banorët e veriut të Kosovës e marrin nga Obiliqi, faturohet nga kompania serbe, EPS. E kjo e fundit në janar të këtij viti është zbuluar se është kyçur në sistemin energjetik të Kosovës. Këtë kyçje, sipas KEK-ut, e ka mundësuar Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), me lejen e dy ish-ministrave kosovarë- asaj të Energjisë, Justina Pula dhe atij të Ekonomisë e Financave në atë kohë, Ahmet Shala.
Drejtori i KEK-ut, Arben Gjuka thotë se bëhet fjalë për kontrabandim të rrymës nëpërmjet një rikyçjeje që e ka bërë paligjshëm Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT). “Si e kanë realizuar ata, unë nuk e di. Unë kam kërkuar sqarim. Ka qenë marrëveshje me KOSTT-in që ne të pyetemi dhe ta dimë këtë. Nëse i humb 2.1 milionë, kam të drejtë të kërkoj kush e ka bërë këtë. E them haptas, nuk kam çka ta fsheh, kjo është bërë ilegalisht”, ka thënë Gjuka për Radio Kosovën.
Kyçja është bërë në dy linjat 110-kilovoltëshe në nënstacionin e Vallaqit. Prej kësaj 85 MW shkojnë pa paguar nga Jugu në Veri, përmes linjës 155. Në këtë mënyrë, 50 megavat janë rrymë që i jepen EPS-së në mënyrë të paligjshme. Në shpjegimin e Gjukës, bëhet fjalë për një kontrabandim të rrymës dhe nuk sqarohet arsyetimi i kësaj kyçjeje të operatorit serb. Pikërisht për të sqaruar bazën ligjore të kësaj, ai në janar të këtij viti u ishte drejtuar përmes një letre, një kopje të së cilës ka arritur të sigurojë edhe Radio Kosova, autoriteteve më të larta të vendit. Në këtë letër, Gjuka kërkon sqarim nga autoritetet më të larta të Qeverisë se mbi çfarë baze ligjore 50 megavat i jepen korporatës serbe. Por ai thotë se nuk ka marrë përgjigje.
Ndërsa njeriu që i kishte mundësuar këtë kyçje EPS-së, drejtori i KOSTT, Fadil Ismaili, pranon se është bërë kyçja e Elektro-Privedës në emër të furnizimit të konsumatorëve në Veri. Por ai nuk sqaron mbi çfarë baze ligjore e ka bërë këtë veprim të njëanshëm.
“Në aspektin e KOSTT-it gjithçka është në rregull. Kjo që jeni duke hulumtuar nuk është ‘case’. Është dashtë të rikyçen se kanë pasur probleme në linja. Pse nuk i shkyçim, është se ata këtë po e kërkojnë, të shkojnë në OKB e të thonë se na kanë shkëputë. Thjesht, në Mitrovicë rryma po vidhet”, ka thënë Ismaili.
Në Drejtorinë e EPS-së në Beograd nuk kanë pranuar të flasin për këtë kyçje. Ndërsa ish-ministrja e Energjisë, Justina Pula, e cila ishte informuar së pari për këtë çështje, kishte heshtur ndaj kësaj humbjeje duke mos e adresuar atë sipas ligjit. Ndërsa ish-ministri Ahmet Shala, nën autoritetin e të cilit ka qenë menaxhimi i ndërmarrjeve publike, nuk ka dashur të flasë për këtë çështje.