E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezik për rajonin

Raportuesi evropian për Serbinë, Jelko Kacin thotë se ndarja e Kosovës mund të jetë bumerang për Bosnjën e Hercegovinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë Nga Express më 02 qershor 2011 në ora 10:47

Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, Jelko Kacin ka thënë se hapjen e idesë së ndarjes nuk e sheh si nismë relevante, pasi kjo nuk do të rrezikonte vetëm një shtet por të gjitha shtetet ish-Jugosllavisë, apo ato shtete që kanë dalë nga kjo federatë.
Ai ka vlerësuar se pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, nuk ka pasur asnjë ndryshim të kufijve të brendshëm të shteteve që janë krijuar nga kjo federatë.

“Kjo është arsyeja pse unë besoj se çdo ndarje e shteteve të krijuara rishtazi nga ish Jugosllavia nuk do të rrezikoj vetëm një shtet por të gjitha shtetet e ish Jugosllavisë apo ato shtete që kanë dalë nga kjo federatë. Hapja e këtyre temave, ku ndërlidhet Kosova mund të jetë bumerang për Bosnjën e Hercegovinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Të jem i sinqertë këtë ide nuk e shoh si nismë relevante”, ka thënë Kacin, në një intervistë për radio Dukagjinin, të mërkurën.

Rreth ideve për shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, raportuesi i PE-së për Serbinë tha: “Janë disa propozime dhe ide që unë do t’i quaja si reagim kur dikush përmend mundësinë e ndarjes së Kosovës dhe kjo është pasojë e saj. Unë nuk besoj në rikompozim të kufijve. Çdo prekjeje apo ndërhyrje reciproke në integritetin shtetëror do të ketë efekte të kthimit prapa në rrugën drejt të ardhmes. Kjo do të ishte edhe fundi i ëndrrës për anëtarësim në Bashkimin Evropian për këto vende”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›