E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetë vjet për vrasjen e motrës

Nga Express më 02 qershor 2011 në ora 13:23

Në Gjykatën e Qarkut të Mitrovicës, një trup gjykues i përbërë prej gjykatësve të EULEX-it dënoi Zaim Hajrën me tetë vjet burg dhe kushëririn e tij, Muhamet Hajra me tri vjet heqje lirie për veprat penale të vrasjes dhe të bartjes, kontrollit dhe posedimit/përdorimit të paautorizuar të armëve.

Viktima ka qenë Shqipe Hajra, motra e Zaim Hajrës, e cila ishte qëlluar për vdekje në fshatin Rakinicë në Skenderaj, më 28 nëntor 2009.

Prokurori i EULEX-it dhe avokati arritën një marrëveshje ndër-gjyqësie që u pranua nga gjykata gjatë një seance të dëgjimit publik të mbajtur më 30 maj. Aktgjykimi për dënim është lëshuar më 31 maj.

Policia kishte njoftuar se Shqipja, 23-vjeçare, ishte qëlluar nga i vëllai, natën e Ditës së Flamurit, pasi me një kushërirë dhe dy djem, po ktheheshin në shtëpi, me veturë.

Dy vajzat janë ndalë nga Zaim dhe Muhamet Hajra. Sipas policisë, Zaimi, pa paralajmërim, e ka vrarë motrën e vet brenda në makinë, duke e qëlluar nga afër në kokë, ndërsa dy djemtë shoqërues të vajzave i kanë rrahur me mjete të forta.

Sipas policisë, djemtë që kanë marrë lëndime kanë arritur të ikin deri në stacionin e policisë në Skenderaj ku kanë kërkuar ndihmë, pasi që kushërirët Hajra, vëllai dhe kushëriri i vajzës së vrarë i kanë ndjekur ata deri në stacionin e policisë.

Madje ata kanë tentuar të hyjnë në stacion për të sqaruar punët me viktimat, po policia arriti t’i lokalizojë e më pas t’i arrestojë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›