ERE përcakton rregullat për komunitetet e energjisë së rinovueshme

TIRANË, 15 shtator/ATSH/ Komunitetet e Energjisë së Rinovueshme (KER) do të regjistrohen pranë Entit Rregullator të Energjisë (ERE), sipas projektrregullores së re që përcakton kriteret dhe procedurat për njohjen, administrimin dhe monitorimin e tyre.
Sipas dokumentit të Publikuar nga ERRE, regjistrimi ka karakter administrativ dhe nuk zëvendëson licensat apo autorizimet që kërkohen për aktivitetet energjetike. Për t’u regjistruar, komunitetet duhet të paraqesin të dhëna mbi formën juridike, anëtarët, aktivitetin e planifikuar, kapacitetin prodhues dhe vendndodhjen e impianteve, si dhe dokumentet e themelimit.
ERE parashikon shqyrtimin e kërkesave brenda 10 ditëve pune, ndërsa subjektet me dokumentacion të paplotë do të kenë 20 ditë pune për plotësimin e tij. Komunitetet me kapacitet mbi 100 kW duhet të paraqesin edhe një plan biznesi për pesë vitet e para.
Pas regjistrimit, të dhënat e komuniteteve do të pasqyrohen në një regjistër elektronik të administruar nga ERE. KER do të kenë gjithashtu detyrimin të njoftojnë ndryshimet në të dhënat e tyre dhe të raportojnë çdo vit pranë ERE-s.
Projektrregullorja përcakton edhe mundësinë e pezullimit të statusit aktiv në rast të mosplotësimit të kritereve ligjore, mungesës së raportimit apo paraqitjes së të dhënave të pasakta.
/e.xh/j.p/r.e/