E Shtunë, 31 Tetor 2026

ETËR PA BIJ, KOMB PA ARDHMËRI

Gazeta Shqip

ARSIM ZEKOLLI

Qielli dhe toka janë të mëdhenj,

por jo sikur butësia e Partisë.

Nëna dhe Babai janë të dashur,

por Shokun Mao e duam më shumë.

- Vjershë nga koha e Revolucionit kulturor kinez -

Të vobekta janë gjeneratat që nuk e kanë këngën e vet që i definon, i frymëzon në rini dhe i mallëngjen në pjekuri e pleqëri. Gjenerata ime kishte një këngë të tillë, që dinte ta këndonte, pasi që aq shumë prej nesh gjenim pjesë të vetes mes rreshtave dhe ritmeve të saj. E incizuar diku në vitet halletare të 80-ta, kënga Babai im e grupit mitrovicas Minatori ishte pjesë e pandashme e repertorëve të ndejave në shtëpi, banesa dhe ato pak kafeteri që i kishim. E dëgjonim me qejf edhe pse ritmi i saj nuk përshtatej për dridhje rok, aq më pak për ndonjë shtrëngim çiftesh.

Shikuar nga kjo distancë kohore, kënga e definonte gjeneratën e dytë të migrantëve nga fshati në qytet, kudo në ish-federatën jugosllave, por posaçërisht në Kosovë dhe Maqedoni. Gjeneratë kjo e bijve të etërve të urtë fshatarë që e kërkonin kafshatën e gojës në punëtoritë ndërtimtare në qytetet e shoqërisë soc-realiste. Të edukuar në frymën e moralit dhe dinjitetit fshatar, e bartnin me vete ndjenjën e fajit për ikjen në shehër, këngët e vjetra rapsodike si ngushëllim dhe zbavitje dhe një çifteli për çmallje në dhomat e papërfunduara në godinat që i ndërtonin.

Ca prej tyre arrinin ta mbajnë ritmin pesë me dy, të punonin gjatë javës në qytet dhe të kthehen në fshat për fundjavë. Miqtë e tyre ishin konduktorët e trashë që herë i përbuznin, herë i lavdëronin, por gjithnjë pas shpine, në distancë dhe asnjëherë në fytyrë. E dinin se kanë punë me njerëz të tokës, që buronin nga dheu dhe për një fjalë goje e hapnin varrin.

Ca të tjerë me kohë e lëshonin vendlindjen, dhe lëviznin drejt qytetit, gjenin ndonjë shtëpi të vogël atje larg në periferi, të bindur se kjo është vetëm sa për një kohë derisa të rriten dhe të shkollohen ata shtatë fëmijë. Të shqyer mes ëndjes për vendlindjen dhe sakrificës për familjen, secili nga këta pionierë të klasës punëtore lëvizte kokulur, duke shmangur sytë nga dallaveret që nuk i do. I veshur në rroba të kaltra pune, pallto të gjelbër nga ndonjë uzinë në Vukovar dhe këpucë të rënda nga Borova, pasuria tij më e shtrenjtë ishte biçikleta Rog me të cilën shkon e vjen nga ndërmarrja ku punon përditë nga 7-8 orë. Në kthim, tok me pazarin e shtëpisë, mes qeseve me ushqim, sjell Rilindjen, të cilën natyrisht e lexon fletë për fletë, deri te tabloja e Tafë Kusurit.

Për një kohë shumë të shkurtër, kënga dhe porosia e saj mori pothuajse një oreol kulti nga rinia në Kosovë dhe Maqedoni, e cila në të e lexoi pjesën e identitetit dhe humorit të gjeneratës, në përputhje me frymën e rebelimit në rritje. Të zënë ngushtë mes bezdisë së çifteli-festivaleve Gllogovci jehon dhe shllagerait falco-urban, kënga dhe tërë repertori i Minatorëve ishte një freski në perceptimin e bendit si ikje nga zymtësia e komitet-kulturave dhe mejnstrimi muzikor. Por, në të njëjtën kohë, ishte një homazh i pathënë ndaj prindërve të klasës punëtore, dhe aq më shumë, mirënjohje për anën e ndritshme të patriarkalitetit tonë dhe shëmbëlltyrës së atësisë.

Tridhjetë vite me vonë, kjo këngë mbetet si një përkujtim për vlerat e humbura gjatë udhëtimit, për dështimet tona dhe për kolapsin e vlerave familjare shqiptare në kuptimin e tyre burimor, sipas dokut dhe zakonit vendor, jo sipas think-tank marketingjeve politike dhe ideologjike të importuara nga Perëndimi.

Shkatërrimi i shtresës së mesme të shoqërive shqiptare kudo, por posaçërisht në Maqedoni, përmes depërtimit të dhunshëm të demagogjisë partiake dhe glorifikimit të kriminalitetit të maskuar nën petkun e patriotizmit, shkaktoi edhe shkatërrim të rrjedhshmërisë së progresionit individual në shoqëri. Etika e konservativizmit të butë individual dhe familjar të bazuar në punë dhe sakrificë gradualisht u zëvendësua me dominim financiar nën presion të konsumerizmit të llahtarshëm dhe garës për pasurim. Urtësia e fjalës së matur – por dramatike – zëvendësohet me histerinë e ulërimave mediale, në kërkim të banaliteteve të rastit që do ta tërheqin vëmendjen e publikut.

Të detyruar me dhunë që të vrapojnë në garën e robërisë për ta siguruar mbijetesën familjare, prindërit sot nuk janë më rol-modele për fëmijët e vet, të cilët falë dominimit të hedonizmit medial dhe shembujve nga fqinjësia e afërt, i kërkojnë heronjtë e vet në krahun e dhunës politike dhe korrupsionit ekonomik. Injoranca dhe egërsia e klasës politike tani më as që tenton ta mbulojë vulgaritetin e mendjes së vet, por përpiqet që atë vulgaritet ta shndërrojë në vlerë bashkëkohore përmes relativizimeve të dështimeve faktike dhe trumbetimit euforik të të arriturave mesatare. Dhe ajo që fillon si arsyetim për sigurim të mbijetesës politike, klanore dhe individuale, me kohë shndërrohet në trend mendor, shoqëror dhe përfundimisht kombëtar, futet në vokabularin e përditshmërisë, bëhet pjesë bisede gjatë drekave të rralluara familjare. Fjala e humb origjinën e vet të shenjtë dhe shndërrohet në onomatope të komunikimit bazik.

Së këndejmi nuk duhet të befasohemi kur dëgjojmë të rinjtë naivë dhe të uritur kur e adresojnë adhurimin e tyre ndaj udhëheqësve politikë duke iu referuar atyre me terma nëna parti dhe baba Ali, baba Musë, baba Izet, baba Menduh, dhe një varg baballarësh tjerë që e bastarduan tërë mendjen shqiptare në Maqedoni, ashtu sikur edhe baballarët në Kosovë. Mu në këtë referim incestuoz ndaj terminologjisë së shenjtë familjare, fëmijët dhe rinia e shpalosin pa vetëdije kërcënimin real dhe të pashmangshëm për cilësinë e qenies sonë kombëtare. Është gjithsesi lehtë që fajin për këtë ta bartim mbi më të njomët nga ne, duke harruar se fëmijët dhe rinia adoleshente janë pasqyra e natyrës së vërtetë, të fshehur me mjeshtëri, por megjithatë të vërtetë, të mitomanisë sonë mashtruese dhe gënjeshtare. Në fjalorin e fëmijëve i dëgjojmë mendimet tinëzare të prindërve frikacakë dhe të korruptuar, së këndejmi të paaftë që t’i edukojnë dhe arsimojnë pasardhësit e tyre për vlerat bazike etike, qofshin ato personale apo kombëtare.

I shndërruar dhe i kufizuar në rolin e krijuesit dhe ushqyesit biologjik, prindi shtëpiak tani më e ka humbur peshën e rol-modelit dhe inspirimit njerëzor apo shpirtëror për fëmijën e vet. Kjo fushë e dezertuar nga prindërit është zaptuar dhe kapluar nga ata që të punësojnë, të mundësojnë vetura dhe banesa, ata që të promovojnë dhe ta huazojnë statusin social, ata që me gjuhën intriguese të natës heroin e vdekur e shndërrojnë në tradhtar ndërsa gënjeshtrat e fushatave zgjedhore i imponojnë si vlera kombëtare. Agresioni i përgjithshëm i ka zhvendosur rolet familjare, duke i zëvendësuar ato me role-loja politike ku partia është nënë që të strehon, ndërsa kult-lideri është baba që të ushqen dhe të drejton në jetë.

Shikuar në retrospektivë, ky nuk është momenti i parë kur autoriteti i qeverisjes tenton t’i godasë shtyllat e familjes shqiptare. Shembuj të tillë mund të gjejmë përmes antropologjisë së ofendimit të njohur të shovinizmit shtetëror serb se shqiptarët kanë bishta që mund të haset nëpër antologjitë e primitivizmeve të politikës serbe. Por, etimologjia e këtij ofendimi primitiv në vete e fsheh natyrën e vërtetë të kontrollit dhe shtypjes së shqiptarëve, të konceptuar nga ana e shërbimeve policore dhe administrative. Falë papunësisë dhe natyrës patriarkale të shoqërisë sonë, aparatura shtetërore e përdorte rolin e babait si ushqyes për ta mbajtur nën kontroll tërë familjen, celulën e mirëqenies dhe zhvillimit ekonomik. Dhe kështu, tërthorazi, në mënyrë graduale, por gjithëpërfshirëse e mbante nën kontroll tërë shoqërinë shqiptare të kohës. Thënë shkurt, babai shqiptar ishte bishti përmes të cilit kralevina, partia dhe shërbimet e siguronin dëgjueshmërinë e shqiptarëve.  Natyrisht, nuk duhen harruar edhe familjet e nënave me fëm

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›