EULEX: Hetim ngjarjeve të fundit

Zëdhënësi i EULEX-it, Nicholas Hawton, ka thënë se prokurorët e misionit të BE-së do të hetojnë ngjarjet në pikëkalimin e Jarinjes.
“Prokurorët e EULEX-it do të hetojnë rrethanat e zhvillimeve në Jarinje. Nga kjo do të varet se cili do të jetë rrethi i hetimit dhe kush do të merret në pyetje", tha zëdhënësi, i cili shtoi se aksioni është pjesë e operacionit të përbashkët me EULEX-in. EULEX dhe KFOR kanë kryer aksionin e përbashkët të vënies nën kontroll të kalimit pranë Jarinjës.
Të martën, pas një përleshjeje mbetën të plagosur katër ushtarë të KFOR-it dhe disa serbë. Kjo përleshje nisi pasi KFOR-i kishte bllokuar rrugën alternative të cilën serbët lokalë e kishin hapur ilegalisht për qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.
Pas bllokimit të rrugës serbët e revoltuar kishin nisur të gjuanin me gurë në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, ndërsa është raportuar edhe për të shtëna me armë zjarri në drejtim të tyre. Gurëve KFOR-i iu është kundërpërgjigjur duke hedhur gaz lotsjellës dhe duke përdorur plumba gome.
Bashkimi Europian e ka dënuar fuqishëm incidentin e së martës në veri të Mitrovicës. Pak orë pas përleshjeve ndërmjet KFOR-it dhe serbëve në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë, BE-ja bëri thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët, ndërkohë që shpreh përkrahje të plotë ndaj forcave të KFOR-it dhe misionit të BE-së (EULEX) për të hequr barrikadat serbe dhe qetësuar situatën.