E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX: Punuam mirë

Zyrtar të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë kanë raportuar për punën e tyre që kanë bërë në dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas tyre, në muajin e fundit të vitit 2012, gjykatësit e EULEX-it dhe ata kosovarë kanë shqiptuar dënimin me burg në kohëzgjatje prej 54 vjet kundër pesë personave.

Në raport thuhet se një gjykatës i EULEX-it ka urdhëruar masën e paraburgimit kundër katër të pandehurve të mbetur në rastin Kleçka (pjesa e dytë), ndërsa Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka shpallur dy aktgjykime për raste që ndërlidhen me të drejtat pronësore për së paku njëzet e tre hektarë tokë, që shtrihen brenda dhe jashtë zonës speciale të Manastirit të Deçanit. Më poshtë është një përmbledhje e proceseve gjyqësore nga muaji i kaluar që EULEX-i ka vendosur në ballinën e ueb-faqes zyrtare, transmeton Express.

Një trup gjykues, i përbërë nga gjykatës të EULEX-it dhe ata kosovarë në Gjykatën e Qarkut në Prizren, ka liruar nga akuza Resmije Osmanin dhe Gëzim Rexhajn të akuzuar për veprat penale të pastrimit të parave, shmangies së tatimit, kontrabandës së mallrave dhe keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike. Po ashtu një trup gjykues, i përbërë nga gjykatës të EULEX-it dhe ata nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë, ka dënuar pesë persona me 54 vite burg. Dy nga ta ishin dënuar për vrasje të rëndë, ndërsa dy të tjerë për tentim vrasje të rëndë në rastin e ashtuquajtur Bllaca 2. Personi i pestë ishte dënuar për të dy akuzat. Katër të pandehur ishin liruar nga akuza për tentim kidnapim. Një trup gjykues i përbërë nga gjykatës të EULEX-it dhe ata kosovarë nga Gjykata e Qarkut në Prizren kanë liruar nga akuza një të pandehur i akuzuar për vrasje të rëndë. Trupi gjykues ka konstatuar se nuk është dëshmuar se ai ka kryer veprën penale për të cilën ishte akuzuar.

Vendimet e Gjykatës Supreme

Një trup gjykues, i përbërë nga gjykatës të EULEX-t dhe ata vendorë në Gjykatën Supreme, ka urdhëruar rigjykim kundër shtatë të pandehurve të akuzuar për zhvatje dhe kontraktim të fitimit jo proporcional nga prona. Trupi gjykues i Gjykatës Supreme ka miratuar ankesën e prokurorit publik dhe ka anuluar vendimin e Gjykatës së Qarkut në Prizren, duke dërguar kështu rastin në rigjykim. Një trup gjykues, i përbërë nga gjykatës të EULEX-it dhe ata vendorë në Gjykatën Supreme, ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë i shqiptuar kundër Amir Sopës, i akuzuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm. Trupi gjykues i Gjykatës Supreme ka refuzuar ankesën e parashtruar nga pala mbrojtëse dhe ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Urdhrat për paraburgim

Një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka urdhëruar masën e paraburgimit një muaj kundër të katër individëve të akuzuar për krime lufte në të ashtuquajturin rasti Kleçka. Masa e paraburgimit një muaj ishte imponuar kundër të pandehurve Behlul Limaj, Refki Mazreku, Sabit Shala dhe Besim Shurdhaj. Sipas tyre, edhe një gjykatës i procedurës paraprake i EULEX-it ka urdhëruar masën e paraburgimit kundër pesë individëve të arrestuar si pjesë e një operacioni të kryer nga një ekip i përbashkët i hetuesisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës. Masa të tjera janë shqiptuar edhe kundër tre individëve tjerë; atyre u kërkohet të lajmërohen në stacionin policor dhe për t’iu shmangur mundësisë së largimit nga vendbanimi, atyre po ashtu u janë konfiskuar edhe dokumentet e udhëtimit./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›