E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-ministri peruan i akuzuar për “grusht shteti”, biznes “plehrash” në Shqipëri

Mediat peruane pretenduan se në Shqipëri u arrestua nga Interpol Tirana për llogari të SHBA-ve, Manuel Augusto Blacker Miller, ish-ministri i Jashtëm në Peru në kohën e ish-Presidentit Fuxhimori, i përfshirë në një grusht shteti në vitin 1992.

Gazetat e vendit amerikano-latin nuk e cituan burimin e këtij lajmi, por vetëm arrestimin duke e veshur me mister këtë ngjarje.

Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka deklaruar dje në një komunikatë për shtyp se nuk e ka arrestuar peruanin dhe se Manuel Augusto Blacker Miller nuk rezulton të jetë i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Pas lajmeve për arrestimin e ish-ministrit të Alberto Fuxhimorit, ka reaguar edhe kompania “Apolonia Investments”, në krye të së cilës ishte Manuel Augusto Blacker Miller, raporton BW.

Përmes një deklarate ajo shpjegon mbërritjen e tij në Shqipëri më datë 10 shtator 2012 për të vazhduar investimet në impiantin e përpunimit të mbeturinave që ndodhej në Fier, përpjekje që kishte nisur në shkurt të atij viti.

Ai drejtonte aktivitetet e “Apollonia Investments shpk” prej organizimit të saj në Tiranë, në korrik 2012.

Përmes deklaratës shpjegohet për qendrimin e Miller në SHBA nga 2002 deri në shtator të 2012, përpara mbërritjes në Shqipëri.

Aty mësohet për takimin e zhvilluar mes tij dhe kryebashkiakut të Fierit, Baftjar Zeqo në Nju Jork të SHBA.

Në deklaratë thuhet se “kompania ka ndjekur të gjitha hapat dhe proçedurat ligjore në Shqipëri dhe ka kopje të gjithë dokumentit dhe përgjigjeve të marra nga qeveria dhe bashkitë”. Në një përmbledhje të shkurtër të aktivitetit dhe proçedurave ligjore kundër tij, shpjegon se “në vitin 2009 të gjitha akuzat e ngritura kundër Blacker Miller u rrëzuan nga Gjykata e Lartë”.

Në fund të deklaratës thuhet se “më 10 Janar në mënyrë krejt të pavarur Blacker Miller me vullnetin e tij vizitoi zyrat e Policisë se Emigracionit në Tiranë, për të kontrolluar për vizën shqiptare”.

Ish-ministri i Jashtëm peruan Manuel Augusto Blacker Miller, jo vetëm ka jetuar normalisht në Tiranë, por ka ushtruar dhe sipërmarrje private në Tiranë në fushën e trajtimit të plehrave. Fakti zbulohet në ekstraktin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve ku faktohet se Manuel Augusto Blacker Miller ka ngritur në Shqiperi shoqërinë e quajtur

“Apolonia Investmentes” një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar siç shkruhet në ekstrakt. Miller ka marrë drejtimin e Kompanisë si përfaqësues ligjor në 14 shtator të 2012-ës.

Shoqëria është themeluar në 26 korrik të vitit të kaluar dhe është regjistruar dy ditë më vonë në gjykatë. Selia e saj figuron në qendër të Tiranës në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit” te dy kullat.

Shoqëria rezulton të jetë ngritur mbi bazën e një kapitali fillestar prej 13.8 miliardë lekë. Siç shihet nga ekstrakti i QKR-së, Manuel Augusto Blacker Miller zotëronte 80% të aksioneve, ndërsa dy aksionere të tjerë rezultojnë italjane përkatësisht Alberto Paladini me 10% të aksioneve dhe shoqeria “IBS ITALIANA BUSINES SPORT” po me 10 për qind të aksioneve.

Në objektin e punës së kompanisë shkruhet qartë: “ndërtim dhe zotërim të impianteve të përpunimit të mbetjeve urbane të të gjitha llojeve, prodhim energjie termike dhe elektrike nga procesi i përpunimit të mbeturinave dhe substancave të tjera nëpërmjet ngritjes së infrastruktures për këtë qëllim”./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›