EULEX: Sistemi i drejtësisë në Kosovë, vazhdon të jetë i dobët
EULEX vlerëson se sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdon të jetë i dobët dhe pre e ndikimeve dhe e ndërhyrjeve në marrjen e vendimeve nga nivele të ndryshme. Sipas këtij raporti, ku paraqiten mangësitë dhe përparimet në sistemin e drejtësisë, të Doganave dhe të Policisë së Kosovës, në përgjithësi është bërë përparimi nga periudha raportuese prej vitit 2009. Është bërë përparim pozitiv dhe gradual, real dhe i qëndrueshëm. Të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se problemet e identifikuara janë të konsiderueshme dhe nuk mund të bëhen rregullime të shpejta, thuhet në këtë raport. Shqetësimet më të mëdha në këtë raport janë ngritur sa i përket sistemit të drejtësisë, ku janë vërejtur probleme teknike dhe jo vendosmëri në përmirësimin e sundimit të ligjit.Është vërejtur ndërhyrje në nivele të ndryshme dhe forma të ndryshme. Kjo ndërhyrje në punën e sistemit të drejtësisë, si në procedurat penale ashtu edhe në ato civile, shpesh ka pasur për pasojë probleme praktike, siç është abstenimi paraprak i gjykatësve dhe i prokurorëve vendës për tu marrë me raste të ndjeshme, thekson ndër të tjera raporti. Sipas gjetjeve të EULEX, numri i madh i rasteve të pazgjidhura, sidomos i atyre civile, tregon se gjykatësit dhe prokurorët vendas nuk kanë qenë në gjendje të bënin përparim në trajtimin e kësaj çështjeje, që, sipas EULEX, është shumë urgjente. Po ashtu, është konstatuar se kapaciteti i sistemit të drejtësisë penale në Kosovë, ka mbetur shumë i brishtë dhe i parregullt në rrugën drejt reformimit, ku si problem kyç theksohet bashkëpunimi në mes të policisë, prokurorisë dhe gjykatave. Mungesa e përparimit në krijimin e mekanizmave themelorë për bashkëpunim dhe bashkërendim ndërmjet prokurorëve dhe Policisë së Kosovës, si dhe ndërmjet prokurorive dhe gjykatave, mbetet faktor shqetësues, thuhet më tutje në raport. EULEX, po ashtu, nuk ka harruar të përmendë edhe problemet me të cilat ballafaqohen prokurorët dhe gjyqtarët, që janë mungesa e personelit. Përfundimi i procesit të verifikimit dhe riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve të Kosovës pa dyshim që do të ndihmojë në krijimin e hapave të duhur për përcjelljen e reformave të nevojshme. Ky aspekt duhet të lidhet me çështjen e burimeve njerëzore, numri i personelit nuk është i mjaftueshëm dhe duhet të bëhet më tepër në mënyrë që të sigurohet plotësimi i pozitave kryesore dhe shpërndarja e duhur e personelit ndihmës, ka konstatuar EULEX.
Dhuna në familje
Në raportin vjetor, EULEX po ashtu, ka ngritur si shqetësim edhe nevojën për përparim të mëtejshëm në trajtimin e viktimave të dhunës në familje, në rastet që kanë të bëjnë me trafikimin e qenieve njerëzore dhe në rastet që kanë të bëjnë me çështjet gjinore. Policia e Kosovës ka nevojë që strategjitë dhe planet e hartuara shpeshherë me standarde të larta evropiane, ti vërë në praktikë. Policia e Kosovës, po ashtu, ka nevojë që të reformohet dhe veprimet policore të udhëhiqen nga inteligjenca e policisë, e që është vërejtur përparim i dobët në këtë drejtim. Futja në përdorim e kryerjes së shërbimeve policore të udhëhequra nga inteligjenca (PUI) është zbatuar dobët. Që nga marsi i vitit 2010, PK-ja ka ndarë për të (PUI) më shumë burime dhe energji, thuhet në raport. Ndërkohë, EULEX ka vërejtur shumë përmirësime në punën e policisë, sidomos në ndalimin e krimeve ekonomike, korrupsionit dhe atyre financiare.
Kermabo: Hetimet në MTPT, vetëm fillimi
Shefi i misionit të EULEX, gjenerali Iv de Kermabo, tha në deklaratën e tij para Parlamentit Evropian, se EULEX është i vendosur që ti hetojë rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë, pa marrë parasysh se për kë është fjala dhe pa lejuar ndërhyrje politike. Kermabo tha se hetimet në Ministrinë e Transportit janë vetëm fillimi dhe se këto hetime do të shkojnë deri në fund. Ai, në paraqitjen e tij, lavdëroi përkushtimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të qenë në krye të luftës kundër korrupsionit, por, siç u shpreh, kryeministri Thaçi pret mbështetje edhe nga Brukseli, pasi që ai ndjen se kohëra të vështira janë përpara. Shefi i misionit të EULEX u ankua në Bruksel edhe për faktin se shtetet anëtare nuk po kontribuojnë sa duhet me dërgimin e ekspertëve të tyre, sidomos sa u përket prokurorëve dhe gjykatësve, por tha se misioni i EULEX, sidoqoftë, është mjaft funksional dhe se po funksionon në tërë territorin e Kosovës. Kermabo nënvizoi se sfida të mëdha janë edhe në veri të Kosovës, mirëpo edhe atje punët janë duke u përmirësuar dhe rendi e ligji janë duke u vendosur gradualisht. Si dëshmi për këtë, ai tha se niveli i kontrabandës në veri të Kosovës është zvogëluar për 80 për qind dhe se këtë e kanë pranuar edhe zyrtarët e Doganave të Kosovës. Veriu i Kosovës ishte shndërruar në një lloj të zonës padoganore, tha Kermabo, duke theksuar se nga kjo humbeshin në buxhet rreth 2 milionë euro në javë.Shefi i misionit të EULEX po ashtu nënvizoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është gjithsesi detyrë parimore e autoriteteve të Kosovës, mirëpo edhe EULEX ka fuqi ekzekutive në këtë drejtim, prandaj këtë luftë kundër kësaj dukurie duhet shikuar si një partneritet të kosovarëve dhe të EULEX.