EULEX, ende pa Task-Forcë për akuzat e Martyt

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ende nuk e ka të gatshme listën e emrave që do të jenë pjesë e Task-Forcës përgjegjëse për hetimin e akuzave që dalin nga raporti i përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dick Martyt. Kjo Taskë-Forcë e EULEX-it për hetimin e akuzave të përfaqësuesit zviceran të Këshillit të Evropës, Dick Marty, pritet që në fund të muajit të nisë nga puna.
Njohësit e së drejtës penale në Kosovë thanë se, për shkak të ndjeshmërisë së procesit, Task-Forca duhet t`i kushtojë rëndësi të posaçme mbrojtjes së dëshmitarëve. Edhe pse kjo Task-Forcë një muaj më parë mori dritën jeshile për veprim nga Brukseli zyrtar, procesi për krijimin e saj thuhet se ende është në fazën e rekrutimit. Zëdhënësi i EULEX, Blerim Krasniqi, ka theksuar se Task-Forca pritet të jetë e gatshme deri në fund të muajit korrik. Megjithatë, ende nuk dihet sesa anëtarë do të ketë ekipi i hetuesve dhe ekspertëve, të cilin do ta udhëheqë një Prokuror Ndërkombëtar. “Nuk mund të themi për momentin se sa do të jetë numri i saktë i personave që do të punojnë në këtë Task-Forcë. Ajo që mund të themi është se kjo Task-Forcë do të udhëhiqet nga një prokuror dhe, po ashtu, do të ketë hetues, zyrtarë ligjorë, përkthyer që do të jenë pjesë e kësaj Task-Force”, bëri të ditur Krasniqi.
Task-Forca, e cila do të hetojë akuzat për rrëmbime, zhdukje, ekzekutime, trafikim organesh dhe krime të tjera serioze, thuhet se do të punojë në hetimin fillestar që filloi nga EULEX-i më 27 janar të këtij viti. Hetimi pritet të sjellë qartësi lidhur me bashkëpunimin e pretenduar të ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të liderëve aktualë të Kosovës, përfshirë këtu edhe kryeministrin Hashim Thaçi. Deri më tani, nuk dihet forma e veprimit të Task-Forcës, e as selia e saj.
Përfaqësues të EULEX-it kishin paralajmëruar që, për shkak të dimensionit ndërkombëtar të hetimeve, Task-Forca të jetë pjesërisht me seli në Bruksel. Mirëpo, njohësit e së drejtës penale në Prishtinë theksuan rëndësinë që hetuesit ta kenë qendrën në Kosovë.