EULEX-i dhe e ardhmja e Kosovës
Pas mbështetjes që i dha Këshilli i Sigurimit planit 6 pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, misioni i EULEX-it mori dritën jeshile për t'u vendosur në Kosovë, por pikëpyetjet që dalin nga formulimi i turbullt i tekstit që shoqëron rezolutën, janë të shumta.
EULEX-i, sipas raportit të Këshillit të Sigurimit, do të jetë neutral sa i përket statusit të Kosovës, por EULEX-i si mision, është dezinjuar nga plani i Ahtisaarit! E tepërt të përsëritet; plani Ahtisaari ishte baza, mbi të cilin Kosova u shpall e pavarur. Misioni i BE-së, EULEX, do të jetë neutral (?), po 22 nga 27 vendet e unionit e kanë njohur pavarësinë e Kosovës!
EULEX-i do të jetë neutral ndaj statusit të Kosovës, në një kohë që 52 vende të botës e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Fakti që EULEX-i do të jetë neutral ndaj statusit, domethënë ndaj kushtetutës, institucioneve qendrore të Kosovës, mund të dëmtojë performancën dhe vetë përmbushjen e misionit të EULEX-it, që është asistimi për ndërtimin e një shteti funksionues.
Këshilli i Sigurimit mirëpriti "përpjekjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për të avancuar perspektivën evropiane të gjithë Ballkanit Perëndimor, që është një kontribut deciziv për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit". Por situata në rajon është trazuar nga hijet e konfliktit 10-vjeçar, konflikt, që në themel kishte ndarjen etnike! Marrëveshja e arritur midis UN-së, BE-së dhe Serbisë, përmban mundësinë e ndarjes së Kosovës mbi baza etnike dhe kjo ka qenë arsyeja që vendet fqinje ballkanike, si Mali i Zi, Shqipëria, Kroacia, por edhe Maqedonia, e shikojnë me rrezik këtë marrëveshje.
Qeveria e Kosovës nuk kundërshtoi vendosjen e misionit EULEX dhe funksionimin e tij, por kundërshtoi marrëveshjen mes OKB-së, Serbisë dhe BE-së, për shkak se ajo injoroi Prishtinën zyrtare, kushtetutën dhe institucionet e saj legjitime.
Nëse perspektiva e rajonit, është në Bashkimin Evropian, funksionimi i Kosovës mbi baza etnike është kundër principeve dhe vlerave të BE-së. SHBA-ja dhe BE-ja, kanë investuar gjatë dy dekadave të fundit, ushtarakisht, ekonomikisht dhe politikisht për t'u dhënë fund luftërave etnike dhe për të pasur një rajon stabël dhe të qetë.
Në themel të pasigurisë së sotme është politika e vazhdueshme e sabotimit, që Beogradi ka ndjekur ndaj Kosovës. Mosnjohja dhe mospranimi i realitetit të Kosovës, përkëdheljet dhe koncesionet e vazhdueshme që ka marrë Beogradi nga Brukseli, nuk çojnë drejt stabilitetit. Kosova do të jetë një shtet funksional nëse ndihmohet nga BE-ja të ketë kontroll dhe autoritet të plotë në gjithë territorin, nëse ndihmohet që të ç'montohen strukturat paralele serbe në territorin e Kosovës, struktura që mbështeten dhe financohen nga Beogradi. Plani i Ban Ki Moon-it legjitimon institucionet dhe strukturat paralele të një shteti tjetër, Serbisë, të cilat funksionojnë në një shtet të pavarur, në Kosovë.
Shqetësimi kryesor në rajon për BE-në, tani mbetet Bosnja. Nëse Brukseli nuk dëshiron të ketë një Bosnjë të dytë, është koha që perspektiva evropiane e Serbisë të lidhet pazgjidhshmërisht me Kosovën e pavarur.
Misioni i EULEX-it do të vendoset dhe do të operojë në Kosovë dhe jo në Serbi apo Shqipëri. Mu për këtë është e rëndësishme që, në radhë të parë, ai të gëzojë mbështetjen e plotë të autoriteteve dhe institucioneve të Prishtinës.
Fakti që marrëveshja për vendosjen e EULEX-it, e injoron pavarësinë e Kosovës dhe nuk i njeh institucionet e Kosovës, kushtetutën e minon, si dhe procesin e ripajtimit dhe integrimit të minoritetit serb në institucionet shtetërore
Debatet që shoqëruan vendosjen e misionit EULEX, demonstruan edhe njëherë dështimin e Kombeve të Bashkuara, si dhe dobësinë e Bashkimit Evropian për të formuluar politika të përbashkëta.
I gjithë debati rreth marrëveshjes për vendosjen e misionit të BE-së, ndërkaq, demonstroi një problem ende të pazgjidhur - rezoluta 12 44 e Kombeve të bashkuara, e cila flet për një realitet, që prej kohësh nuk ekziston. Por, që po përdoret suksesshëm nga Serbia si ground ligjor për të sabotuar shtetin e dobët të Kosovës.