E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi, pritje për 96-vjetorin e Pavarësisë

Tiranë- Me rastin e 96-vjetorit të pavarësisë, presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, organizon një pritje shtetërore në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Pritja shtetërore, që organizohet si përvit në atë ambient është një shenjë vlerësimi për veprën e patriotëve shqiptarë që 96 vite më parë ngritën flamurin, duke e cilësuar Shqipërinë të pavarur.

Pëgatitjet e fundit duket se kanë mbaruar lidhur me organizimin e pritjes dhe mësohet se grupi i të ftuarve të Presidentit janë trupi diplomatik rezident dhe jo rezident në Shqipëri, si dhe personalitete të fushave të ndryshme.

Në pritje janë të ftuar edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozafina Topalli. Gjatë paradites janë parashikuar vizita në Varrezat e Dëshmorëve dhe rituali i vendosjes së kurorave me lule.

Ndërkaq, kryetari i PS-së, njëkohësisht kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, ka vendosur që ditën e flamurit ta kalojë së bashku me popullin e Kosovës, në një moment tejet të vështirë për shtetin më të ri.

Në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje, Rama do t‘i bashkohet festës së organizuar në Kosovë me rastin e ditës së shënuar të shpalljes së pavarësisë, që për kosovarët është një tjetër ditë feste kombëtare.

Vetëm një ditë më parë, ish- kandidatja demokrate për presidente e SHBA-së, Hillary Clinton gjatë një vizite në lagjen Brooklyn të Nju Jorkut, në të cilën jeton pjesa më madhe e komunitetit shqiptarë, uroi për festën. "Gezuar Dita e Flamurit - Dita e Shpalljes se Pavaresise së Shqipërisë"-iu drejtua ajo shqiptarëve të pranishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›