Manastiri sërish u harrua.
Para disa ditësh, në Shkup, u mbajt Akademia Solemne e 100-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Pa dyshim se kjo ngjarje është gdhendur në historinë tonë si kodi i unifikimit të kombit shqiptar. Mirëpo, në kushtet e sotme, ky qëllim dhe mision i figurave të ndritura të kohës që u mblodhën tok në Manastirin e para 100 viteve, fatkeqësisht nuk respektohet gjithaq. Politikat ditoreshqiptare, në rastin konkret pa kufij, nuk përtojnë t’i zgjasin duart për të hipotekuar, apo monopolizuar data të këtij rangu. Për ta ilustruar, mjafton të sjellim në vëmendje se, ceremonia e Jubileut të Kongresit të Manastirit, në një mënyrë apo në një tjetër, u partizua, ndërkohë që opozita aktuale shqiptare, dje kur ishte në qeveri, arriti që ta fusë Kongresin e Manastirit në kalendarin e festës shtetërore. Gjithsesi, kjo analizë, nuk ka për subjekt të nxjerrë në mejdan mangësitë organizuese, sepse asgjë nuk e zbeh ngjarjen e madhe historike. Thelbi i këtij shkrimi është diku tjetër. A ishte e drejtë që Shkupi të merrte nektarin e Jubileut dhe çështja tjetër që e kontrabandon realitetin: A respektohet gjuha shqipe nga qeveria maqedonase , kryeministri i së cilës na dolisi “arkitekt” i festimittë 100-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Në ceremoninë e këtij evenimenti tejet të rëndësishëm,ndodheshin, kryeministri Sali Berisha, ai i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe “mikpritësi” maqedonas, Nikolla Gruevski. Në dukje, pjesëmarrja e trojkës (treshes) kryeministrore, i dha pompozitet të madh ceremonisë, paçka se ata ndodheshin në vendin e gabuar. Në këtë kontekst, adresa e saktë për trojkën kryeministrore, duhej të ishte Manastiri, qyteti ku u mbajt këtu e 100 vite më parë Kongresi i Alfabetit Shqip. Duhej të ndodhte kështu për shumë arsye, njëra prej këtyre arsyeve është se qyteti i Manastirit po humbet çdo nishan të shqiptarizmës, ngase politikat etnocentrike maqedonase kanë përvetësuar gjithçka, duke e shndërruar qytetin historik për kombin shqiptar si pikëtakim ku shkarkohet nacionalizmi identitar i sajuar. Mirëpo, si duket, dy kryeministrat shqiptarë nuk kanë pasur shumë informacion se çfarë është gatuar dheç’po ndodh në këto hapësira, aq më pak në Manastir. Në këtë kuptim, nuk besoj se kishte rast me të përshtatshëm për të korrigjuar shanset e humbura historike, sesa Jubileu i Kongresit të Manastirit. Fundja, historia sado e hidhur mund t’i duket palës tjetër, ajo nuk mund të ç’bëhet. Këtë duhet ta ketë të qartë edhe kryeministri maqedonas, i cili jo pa qëllim i ka bishtuar qytetit të Manastirit si vendtakim për të pritur bujtësit e tij (homologët shqiptarë). Shikuar në këtë rrafsh, përtej gjuhës diplomatike, falënderimet pa doganë të kryeministrave shqiptarë, në drejtim të Nikolla Gruevskit,ishin të pakuptimta. Mbeten të tilla, për sa kohë që pronari i qeverisë së Maqedonisë luan me dy karta. Me rastin e Jubileut të Kongresit të Manastirit, ai u përpoq të krijojë një imazh fallso si njeri i moderuar dhe novator, dhe këtë e arriti duke u shkepur mirënjohjen dy kryeministrave të shteteve shqiptare, ndërkaq, praktikisht, ai vazhdon të gjenerojë dhe implementojë politika diskriminuese ndaj shqiptarëve. Sot e gjithë ditën, gjuha shqipe mbetet, në shtetin multietnik, gjuhë me përdorim privat, e anashkaluar dhe e “nëmur” insitucionalisht. Sado të përpiqen partiakët e pushtetit të tundin flamurin e suksesit për ligjin e gjuhës shqipe, e vërteta është se me këtë ligj, shqiptarët nuk mund ta përdorin zyrtarisht gjuhën e tyre. Një tjetër e vërtetë është se ligji që solli brenda natës Gruevski dhe Ahmeti, bie në kundërshtim të plotë me dispozitat kushtetuese dhe me Marrëveshjen Ndërkombëtare të Ohrit. Neni 7 i Kushtetutës thotë: “Gjuhë tjetër që e flasin 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare”. Së këndejmi, meqë jo të gjithë e kanë lexuar Marrëveshjen e Ohrit, shtrohet pyetja, a përdoret zyrtarisht gjuha shqipe në Maqedoni? Përgjigja është jo. Sipas modelit qeverisës, gjuha shqipe konsiderohet e “vdekur” në qeveri, ushtri, polici, administratën shtetërore dhe publike, në gjykata, në sektorët e ndryshëm publikë, në vendkalime kufitare, e deri në udhërrëfime. Në këto kushte, shtrohet një tjetër pyetje, a nuk tingëllon ironik fakti që 100-vjetori i Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe festohet në kushtet e diskriminimit permanent, po të gjuhës shqipe? Përgjigja, në këtë rast, nuk ka nevojë për koment, megjithatë, herën tjetër,në vend të falënderimit, kryeministri i Kosovës t’i sjellë peshqesh homologut të tij maqedonas një kopje të kushtetutës së Republikës së Kosovës si model se çdo tëthotë përdorim zyrtar i një gjuhe. Ndërsa kryeministri Berisha, në vend të euforisë, të njihet më nga afër me realitetet e hidhura që përjetojnë shqiptarëve e këtyre anëve.
***
Po ta zgjerojmë spiralen e analizës, Jubileu i 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, pati impakt pozitiv, sepse ky eveniment u krijoi kushte kryeministrave të tri vendeve të bashkëbisedojnë dhe të prononcohen. Madje, u shfrytëzua rasti për t’u takuar me kryetar partish dhe për të dhënë mesazhe. Jo vetëm kaq. Përtej këtij këndvështrimi, pati edhe momente të përfitimit politik, secili për hesap të vet. Më i përfituari në planin politik, doli Nikolla Gruevski, i cili qysh kur është “nusëruar” për së dyti kryeministër, nuk e ka bërë sefte qilimin e kuq, sepse askush nuk i ka trokitur në derë. Pra, në kushtet e një izolimi, shefit të mazhorancës maqedonase, i interesonte të ishte në qendër të vëmendjes dhe të merrte lëvdata… Pra, Nikolla Gruevski, fitoi përkrahjen e dy kryeministrave shqiptarë, në kushtet epopullaritetit të padiskutueshëm në elektoratin maqedonas, nga njëra anë, dhe të profilit më të ulët në rrafshin ndërkombëtar dhe atij shqiptar, nga ana tjetër. Në këtë rast, shqetësimi ngrihet mbi premisat e një diskriminimi të pashoq që u bëhet shqiptarëve, pikërisht nga një qeveri që prodhon politika etnocentrike. Sakaq, prezenca e z. Berisha, mund të analizohet në dy optika. E para, ardhja e tij dhe e kryeministrit të Kosovës, duhet vlerësuar dhe përshëndetur, por vlerësimet e tij lidhur me procesin politik, Marrëveshjen e Ohrit dhe me marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve, karamboloheshin me realitetin faktik. Sot e gjithë kohën, vetëm shtetasit shqiptarë paguajnë “haraç” në kufi, mos të flasim për deformimet e MO-së, apo për ligjet që nëpërkëmbin dinjitetin e shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët nuk kanë të drejtë të përdorin simbolin dhe gjuhën e tyre dhe deri tek ligji racist i natalitetit. Por, në këtë rast, faji nuk është i titullarëve të dy shteteve, por i informacioneve të pamjaftueshme që ata kanë pasur. Marrëveshja e Ohrit, jo vetëm që nuk po përparon, por ajo tashmë është denigruar dhe trajtohet nga qeveritarët maqedonas si letër pa vlerë. Gjithsesi, Akademia Solemne e 100-vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, për trojkën kryeministrore, pati impakt pozitiv edhe për faktin se ata kanë telashe të mëdha me qeverisjet respektive. Sipas të gjitha gjasave, Berisha u përpoq të kompensojë problemet, me të cilat ballafaqohet si kryeministër, duke i dhënë atributin vetes se ka influencë edhe jashtë. Ashtu si Nano në një kohë, edhe Berisha u përpoq të japë përshtypjen se gëzon autoritet dhe pushtetndër shqiptarët jashtë Shqipërisë zyrtare. Takimet e tij më dy kryetarët shqiptarë të partive kryesore parlamentare, M. Thaçin dhe Ahmetin, sikundër ftesat e hapura për një vizitë kthyese, japin përshtypjen se kryeministri Berisha e sheh të udhës një kafe në Tiranë, në prag të zgjedhjeve lokale. Si përfundim, Ahmeti ka meritë për shërbimin falas që i bëri kryeministrit maqedonas, duke ia sjellë dy kryeministrat shqiptarë në Shkup. Ndërkaq, Manastiri sërish u harrua….