E Diel, 1 Nëntor 2026

“EULEX-i është mision i kontrabanduar”

Aktivistët e “Vetëvendosjes” organizuan, sot në mesditë, një aksion simbolik pas rastit të fundit të kontrabandës së bërë nga pjesëtarët e EULEX-it.

Para selisë së EULEX-it, aktivistët e kësaj lëvizjeje kishin hapur “qendrën tregtare” për shitjen e mallrave të kontrabanduara “EULEX-Comerce”, duke thënë se këto mallra janë të lira pasi që nuk paguhet dogana. Aty ishin vendosur cigare, alkool dhe mallra të tjera, duke aluduar në skandalin e para disa ditësh të policëve rumunë të EULEX-it, të cilët u zunë në Bllacë me cigare dhe alkool.

Aktivisti i “Vetëvendosjes”, Florian Mulliqi, ka thënë se pjesëtarët e EULEX-it janë mbi ligjin, pasi që ata po e shkelin ligjin sa herë që duan.

“Por kësaj radhe kontrabanduesit e EULEX-it harruan që krimin nuk mund të bëjnë edhe në shtetet e tjera jashtë Kosovës, por vetëm në Kosovë. Ata harruan që vetëm në Kosovë mund të veprojnë kështu. Kontrabandën që e bënë EULEX-i tash së fundi është vetëm një ndër rastet e shumta, të cilat flasin për natyrën e vërtetë të këtij misioni, i cili mision vetë është i kontrabanduar”, ka thënë Mulliqi, transmeton KosovaPress.

Ai ka akuzuar EULEX-in edhe për “kontrabandim të protokolleve” me Serbinë.

Sipas Mulliqit, shefit të EULEX-it, Yves de Kermabon nuk i bën përshtypje që kontingjenti rumun i EULEX-it, më herët derisa ishte në kuadër të UNMIK-ut kishte vrarë dy demonstrues më 10 shkurt 2007 dhe kishte plagosur 80 të tjerë dhe se asnjëherë Kermabon nuk ka kërkuar hetim për këtë rast, por përkundrazi dëshiron të izolojë “Vetëvendosjen”, e cila konsiderohet si pengesa kryesore për politikanët e korruptuar.

Sipas aktivistëve të “Vetëvendosjes”, EULEX-i nën ombrellën e sundimit të ligjit është bërë sundues i ligjit dhe duke qenë i tillë, duhet të largohet nga Kosova.

“Me të gjitha institucionet ndërkombëtare, të cilat janë mbi ligjin dhe le t’i marrë me vete edhe politikanët tanë të korruptuar”, ka thënë ai.

Aktivistët e “Vetëvendosjes” kanë akuzuar edhe kryeministrin Thaçi dhe Qeverinë e tij se po bashkëpunon me EULEX-in.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›