E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i i shmanget Mitrovicës të dielën

Misioni e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë - EULEX, përmes një njoftimi të brendshëm, i ka këshilluar pjesëtarët e vet që të dielën, më 30 maj, t’i shmangen Mitrovicës.

Këtë të diel, në veri të Mitrovicës mbahen zgjedhjet e organizuara nga Beogradi; kurse në pjesën jugore është paralajmëruar një protestë e Veteranëve të Luftës dhe e “Vetëvendosjes”. Po këtë ditë, zhvillohet edhe ndeshja e fundit e Super Ligës në futboll, ndërmjet Trepçës dhe Besës, me ç’rast përcaktohet titulli i kampionit.

Nisur nga gjitha këto zhvillime, përmes një letre të brendshme këshilluese, Misioni i BE-së ka sugjeruar pjesëtarët e këtij misioni që t’i shmangen Mitrovicës.

“Në bazë të të gjitha këtyre informative, të gjithë pjesëtarët e Misionit të EULEX-it këshillohen që t’i shmangen Mitrovicës, të dielën me 30 maj, dhe të gjitha vizitat në zonat me siguri të mesme në veri duhet të jenë strikte, dhe duhet të kryhen vetëm në raste të veçanta”, thuhet në letrën shpërndarë stafit të EULEX-it, të cilin e ka siguruar Radio Dukagjini.

Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë, me arsyetimin se nuk mund të komentohen çështjet e brendshme. Por ajo ka thënë se “nuk parashihen probleme gjatë fundjavës në Mitrovicë”.

“Normalisht unë nuk mund te komentoj çështje të brendshme të sigurisë apo edhe paralajmërimet, por në përgjithësi mund të them se pjesëtarët e misionit të EULEX-it për zhvillime që kanë të bëjnë me çështje të sigurisë gjithnjë janë të njoftuar, gjithsesi do duhet të jemi të njoftuar derisa pjesëtarë të EULEX-it operojnë në territorin e Kosovës. Misioni ynë nuk parasheh probleme të mundshme gjatë fundjavës në qytetin e Mitrovicës”, ka thënë Limdal, për Radio Dukagjinin..

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›