E Shtunë, 31 Tetor 2026

Borxhi i parë

Qeveria e Kosovës prej tash është zyrtarisht borxhli i Fondit Monetar Ndërkombëtar si shtet i pavarur. Për 18 muajt e ardhshëm, sa parashihet të zgjasë programi me Fondin, Kosova do të përfitojë 110 milionë euro kredi me norma të buta të interesit. Njëherësh do t’u nënshtrohet restrikcioneve dhe reformave rigoroze të FMN-së në buxhet dhe administratë publike. Hyrja në aranzhmane financiare më këtë institucion financiar ndërkombëtar ka qenë kusht i Bankës Botërore dhe i Bashkimit Evropian për t’i dhënë Kosovës 210 milionë euro donacione të premtuara dy vite më parë. Zyrtarisht kjo marrëveshje nënshkruhet në korrik, pas aprovimit të Bordit të Guvernatorëve të FMN`së. Sa do që kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaci, e quan të arritur marrëveshjen me FMN-në, hyrja në këtë program ai pranon se ka qenë mënyra më e mirë e mundshme për t’u ballafaquar me sfidat e krizës ekonomike.

“Në kohën kur kriza ekonomike botërore ka ndalur rritjen e shteteve më të zhvilluara, Kosova ishte e vetmja në rajon me rritje pozitive ekonomike prej 4.4 për qind. Qeveria së bashku me partnerët ndërkombëtarë ka arritur në përfundim se ndihma nga FMN-ja është mënyra më e mirë dhe më efikase për t’u ballafaquar me këto sfida”, është shprehur Thaçi.

Sipas kryeministrit Thaçi, kjo ndihmë nga FMN-ja e vendos Kosovën në rrugë të sigurt për realizimin e projekteve me rëndësi nacionale si autostrada, reforma në sektorin e energjisë, edukimi, privatizimi dhe reformat e telekomunikimit.

Bashkëpunimi me FMN-në, sipas tij, dëshmon se të gjitha politikat ekonomike dhe financiare të Kosovës janë në harmoni me rekomandimet e institucioneve kryesore financiare ndërkombëtare.

Bazuar në këto politika të koordinuara, numri një i ekzekutivit të vendit është optimist se Kosova në vitet e ardhshme do të ketë rritje ekonomike rreth 6 për qind.

Ndërkaq, Jurgen Odenius, kryesues i delegacionit të FMN-së që po qëndron në Kosovë, ka pohuar se përpjekjet e Kosovës për të përmirësuar infrastrukturën publike dhe po ashtu për të ndihmuar në lëvizjen e mirëqenies sociale i kanë sfiduar financat publike, sidomos edhe projekti për autostradën.

“Për këto arsye autoritetet e Kosovës tani janë duke ndërmarrë veprime të fuqishme për të zvogëluar deficitin buxhetor, përmirësimin e financave publike dhe administratën tatimore në mënyrë që të kthejnë qëndrueshmërinë fiskale”, ka thënë Odenius.

Sipas tij, këto reforma do të shoqërohen me masa për të përmirësuar efektshmerinë e ekonomisë përmes privatizimit të Postës dhe Tekomunikacionit të Kosovës dhe forcimin e sektorit të energjisë.

Masat fiskale në programin ekonomik të pajtuar me misionin e fondit synojnë të kufizojnë deficitin e gjithëmbarshëm buxhetor për vitin 2010 në 3.4 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm.

“Në mënyrë që të arrijë këtë cak, qeveria synon që të ndërmarrë masa në të hyra dhe të kufizojë shpenzimet rrjedhëse, duke ditur zotimet e mëdha për shpenzime kapitale.

Kufizimi i shpenzimeve duhet të vazhdohet gjatë gjithë vitit 2011”, thekson Odenius.
Në përgjithësi ai vlerëson se performanca ekonomike është fuqizuar shumë gjatë 10-vjeçarit të fundit, ndërsa institucionet e Kosovës po ndërmarrin veprime për të përmirësuar buxhetin, në mënyrë që të ketë qëndrueshmëri fiskale.

Sipas tij, qëllimi i vizitës së delegacionit të FMN-së në Kosovë është për të formuluar një program të politikave dhe nuk është për një program për investime specifike kapitale të qeverisë.

Ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, ka thënë se ky program financiar me FMN-në nuk do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e pagave, por do të ketë efekte pozitive në mirëqenien sociale.

“Ne kemi arritur suksesshëm që pjesë e programit me FMN-në të jenë edhe Ligji i Punës, Ligji për Sigurime Pensionale dhe ai për Vlerat e Luftës”, ka bërë të ditur Shala.

Përkundër kufizimeve të programit, ai thotë se është arritur që në vitin 2011 të ketë rritje të investimeve kapitale në 611 milionë euro, prej të cilave 275 do të shkojnë për autostradën, ndërsa 336 do të jenë për investime tjera kapitale.

Gjithashtu, vitin tjetër, Shala ka premtuar rritje të pagave dhe mëditjeve nga 289.8 milionë sa kanë qenë sivjet në 315.8 milionë euro.

Kreu i MEF-it ka bërë të ditur se më qëllim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik dhe financiar të Kosovës, për të mos u përballur me një krizë si ajo e Greqisë, do të rritet rezerva buxhetore për raste të krizave nga 200 milionë euro në 354.1 milionë euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›