E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i kërkon "kokat" e tre ministrave



Ky është titulli i një shkrimi në numrin e djeshëm të së përditshmes "Zëri". Një valë e re ndryshimesh mund ta godasë qeverinë "Thaçi", shkruan kjo gazetë. Sipas saj, bëhet fjalë për largimin e tre ministrave të tjerë, dy nga radhët e PDK-së dhe një nga radhët e LDK-së. 
Burime ndërkombëtare në Prishtinë thonë se Kryeministrit Thaçi i është rekomanduar që pas procesit të riformatimit të vazhdojë me reforma, duke u kërkuar fillimisht dorëheqjen edhe tre ministrave të tjerë, të tre nën hetime, për dyshime se janë të përfshirë në korrupsion, krim të organizuar, apo keqpërdorime buxhetore.
Të njëjtat burime kanë saktësuar, se Kryeministri Thaçi e ka të qartë se nëse vetë nuk e sjell situatën që këta tre ministra të largohen nga qeveria, qoftë duke ofruar dorëheqje apo edhe duke i shkarkuar, atëherë mund të përsëriten pamjet e bastisjeve dhe ndërhyrjeve në qeveri nga ana e EULEX-it. 
EULEX-i, sipas burimeve ka rekomanduar që t'i ketë jashtë qeverisë të gjithë ministrat nën hetime, përfshirë edhe stafin e ngushtë të tyre dhe sekretarët e përhershëm, në mënyrë që hetimet të vazhdojnë pa u penguar nga politika. 
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë ka bërë me dije se krahas hetimeve në rastin Limaj, që tashmë janë bërë publike, po zhvillojnë hetime paralele edhe në gjashtë raste të tjera të dyshuara, qoftë ndaj ish-zyrtarëve qeveritarë apo atyre aktualë. Këto raste tubojnë diku mbi 100 persona të dyshuar për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar, shkruan "Zëri".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›