E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX-i po heton, por nuk njofton afatin për arrestime në veri

Prishtinë, 24 gusht - EULEX-i po vazhdon hetimet në lidhje me krimin e korrupsionin në veri të Kosovës, por nuk jep ndonjë afat se kur mund të bëhen arrestime.
Zëdhënësi i EULEX-it për veriun, Hanns-Christian Klasing ka thënë për Kosovapress përmes telefonit, se hetimet në lidhje me krimin e korrupsionin në veri po vazhdojnë, por nuk ka ndonjë afat të caktuar kohor se kur mund të bëhen arrestimet.
Sipas tij, për arrestimet vendos kryeprokurori special i Republikës së Kosovës në bashkëpunim me prokurorët e EULEX-it, varësisht prej rezultatit të hetimeve.
Kohë më parë, zyrtarët e lartë të EULEX-it deklaruan se shumë shpejt do të fillonte aksioni për arrestime në veri, si rezultat i hetimeve në lidhje me krimin, kontrabandën dhe korrupsionin në atë pjesë.
Vetëm në veri janë duke u hetuar 25 raste të rënda të krimit e kontrabandës, gjashtë prej tyre, sipas kryeprokurorit të EULEX-it, Johannes van Vreeswijk janë raste të profilit të lartë.
Nga ana tjetër, zyrtarët serbë janë shprehur pro bashkëpunimit me EULEX-in, në lidhje me arrestimet e mundshme në këtë pjesë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›