E Diel, 1 Nëntor 2026

Krasniqi pret që OKB ta respektojë opinionin e GJND-së

Prishtinë, 24 gusht – Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, beson se Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të respektojë opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës.
Kreu i legjislativit të vendit nuk e ka parë të nevojshme që Kuvendi i Kosovës në këtë fazë të dalë me ndonjë qëndrim karshi Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, apo rezolutës serbe, e cila do të shtrohet në këtë sesion, duke thënë se Kuvendi e ka kryer obligimin e vet, duke dalë me një deklaratë menjëherë pas opinionit të GJND-së.
“Ne presim që Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, pasi që ajo ka qenë organi përkatës dhe përgjegjës që ka bërë kërkesën për të shqyrtuar se sa shpallja e pavarësisë së Kosovës është konform të drejtës ndërkombëtare dhe natyrisht Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë një përgjigje dhe presim që Asambleja e Përgjithshme vërtetë ta respektojë opinionin e GJND-së, si një opinion i dhënë nga një trup profesionale dhe përgjegjëse për të dhënë përgjigje të tilla. Mendoj që kjo është e rëndësishme dhe ne presim që edhe Asambleja e Përgjithshme ta respektojë vendimin profesional të GJND-së”, citon RTV21 Jakup Krasniqin.
Asambleja e Përgjithshme kishte ngarkuar Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë që të shqyrtojë legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.
Një muaj më parë, GJND-ja dha një opinion edhe më pozitiv se që kishin pritur edhe vetë drejtuesit e institucioneve të Kosovës, ndërkohë që Kuvendi miratoi një deklaratë mbështetëse për opinionin e GJND-së.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›