EULEX-i shpall zonë rreziku veriun e Kosovës

EULEX-i ka shpallur veriun e Mitrovicës si zonë të rrezikut dhe i ka bërë të ditur pjesëtarët të këtij misioni të bëjnë shumë kujdes në këtë pjesë të Kosovës.
Sipas një dokumenti të publikuar nga mediat kosovare, misioni evropian dëshiron që policët e tij t`i mbajë në kontroll, duke ditur në çdo moment se në cilin vend gjenden.
Sipas mediave kosovare shkak për këtë vendim duket të jetë incidentet që ndodhën ditë më parë, kur në dy raste katër policë të EULEX-it dhe një pjesëtar i OSBE-së u rrahën në veri të Mitrovicës nga persona të panjohur.
EULEX-i ka vendosur rregulla të reja për anëtarët e tij në lidhje me qarkullimin në veri të lumit Ibër si dhe në portat G1 dhe G31.
Sipas dokumentit, pjesëtarët e EULEX-it që udhëtojnë për në komunat veriore të Kosovës - Zubin Potok, Zveçan, Leposaviç, Mitrovicë matanë lumit Ibër si dhe në pikat kufitare G1 dhe G31 duhet t`iu përmbahen rregullave, që janë vënë në funksion nga ky mision që pas incidentit në veri të Mitrovicës. Pjesëtarët e EULEX-it në rast se dalin matanë lumit Ibër duhet që me vete të kenë telefonin celular dhe radion gjithnjë në funskion.
Në rast se anëtarët e EULEX-it hynë në zonat e rrezikut, pra në pjesën veriore të Mitrovicës për çfarëdo arsye, janë të detyruar që të lajmërohen në bazën e tyre se ku gjenden dhe për cilat arsye. Në rast se pjesëtarët e EULEX-it nuk lajmërojnë në bazë se ku gjenden në veri të Mitrovicës, ndaj tyre do të ketë ndëshkime deri në largimin nga misioni.