EULEX interesohet për Isën

Foli, por nuk i besoi askush. Madje e quajtën edhe shpifës dhe njëri që nuk posedon fakte.
Por, ndryshe nga politikanët, dikush duket se i ka marrë seriozisht pohimet e Musa Dakës, zyrtarit të dikurshëm të LDK-së i cili u bë i famshëm muaj më parë kur nxori dokumente dhe fotografi që, sipas tij, flasin për keqpërdorimet që ka bërë me paratë e popullit Isa Mustafa, ish-Ministri i Financave i Qeverisë në Ekzil dhe tani Kryetar i LDK-së dhe i Prishtinës.
Pikërisht për të dëshmuar për ato që di, Daka është ftuar në një bisedë në misionin europian për rend dhe ligj, EULEX. Ftesës ai iu ka përgjigjur pozitivisht dhe enkas për këtë çështje ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një bisedë për Express, Musa Daka tregon se është marrë në pyetje për dy ditë rresht, një Prokurore e EULEX-it e ka pyetur atë për rolin e Isa Mustafës dhe të tjerëve në keqpërdorimin e këtyre mjeteve.
“Jam ftuar më herët, por për shkaqe personale nuk arrita të vij, prandaj tash kur jam në Kosovë unë kam shkuar atje dhe kam dhënë krejt dëshminë time dhe i kam bashkangjitur edhe faktet që posedoj”, ka thënë Daka. /Indeksonline/