Profesorët qeveritar do të ndëshkohen nga UP

Këshilli Drejtues (KD) i Universitetit të Prishtinës (UP) ka kërkuar nga menaxhmenti që të ngrijë marrëdhënien e punës për profesorët që janë të punësuar në institucione tjera dhe nuk i përgjigjen me rregull procesit mësimor apo nuk vijnë fare në UP. Ky propozim nuk do të përjashtojë as të “mëdhenjtë”. Gjendja e krijuar në UP, sidomos çrregullimi në procesin mësimor, ka shkaktuar debat në një nga mbledhjet e Këshillit Drejtues të UP-së që ka çuar deri te propozimi që këta profesorë të dënohen.
Mësimi që zhvillohet shumë pak sipas orarit që publikohet në sportele të fakulteteve, përfshirë këtu ligjëratat dhe provimet, ka si emërues të përbashkët- profesorët e inkuadruar në politikë e organe qeveritare, që dalin shkelësit më të mëdhenj të orarit.
Burime të gazetës Zëri brenda UP-së, në kushte anonimiteti, kanë bërë të ditur se ditë më parë Bordi ka bërë këtë propozim me këmbëngulje që të zbatohet edhe ndaj profesorëve që mbajnë pozita në qeveri, e të cilët deri tash nuk janë ndëshkuar e as që është menduar të ndëshkohen. “Propozimi madje përfshin që atyre t’iu ngrihet edhe marrëdhënia e punës”. Këtë nuk e mohojnë të jetë diskutuar as anëtarë të bordit të Universitetit. Propozimi i bordit i është përcjellë rektorit dhe prorektorëve.
Për këtë propozim, sipas anëtarit të bordit Ajvaz Berisha ka ndikuar pakënaqësia e studentëve e shprehur ndaj disa profesorëve, sidomos ndaj atyre që mbajnë edhe poste në institucione tjera. Berisha ka konfirmuar për gazetën se Këshilli Drejtues në një mbledhje të tij unanimisht ka shprehur qëndrim që këta profesorë të ndëshkohen.
“Është kërkuar nga prorektori për financa që ata profesorë që nuk vijnë në ligjërata të hiqen nga lista e pagave”. Ai thekson se synimi i bordit është që të zbatohen politika zhvillimore që e qojnë përpara UP –në dhe të luftohen keqpërdorimet.
Sipas tij, tash në kompetencë të tij rektori dhe prorektori duhet të marrin parasysh këtë propozim dhe të ndjekin masat e duhura për t’i dhënë fund keqpërdorimit të detyrës në UP, nga ana e mësimdhënësve. “Ne iu kemi thënë hulumtoni nëpër njësi akademike dhe na sillni emrat e njerëzve të cilët marrin paga nga buxheti i Kosovës dhe nuk vijnë në punë”. Berisha thekson se disponimi i bordit për të luftuar këtë dukuri do të vazhdojë, por së pari do të pritet vendimi dhe masat që do të ndërmerr menaxhmenti, dhe nëse ky i fundit nuk reagon, por e hesht këtë shkelje siç ka ndodh deri më tash nga strukturat e mëparshme menaxhuese, atëherë bordi do të kërkojë llogari nga menaxhmenti, kompetencë e të cilit është marrja e vendimeve dhe ndalimi i shkeljeve.
Në sirtarët e Rektoratit që nga viti 2011 është edhe një raport i përpiluar pas hulumtimit të gjendjes në UP, për periudhën tetor 2010- shkurt 2011. Në bazë të monitorimit të gjendjes në UP nga Parlamenti Studentor pati konfirmuar se nëpër njësi akademike, studentët obligohen për blerjen e librit nga ana e profesorëve, është prezente hakmarrja e profesorëve me rastin e vlerësimit, sjellje jo e mirë e profesorëve me studentë, duke filluar nga sjelljet mospërfillëse deri tek sjelljet nënçmuese, fyese e kërcënuese.
Një pjesë e profesorëve, sipas këtij raporti nuk mbajnë ligjëratat me rregull, e kjo dukuri theksohet se zakonisht ndodh tek profesorët që punojnë edhe në vende të tjera të punës, në institucione shtetërore ku kanë funksione politike, në kolegje private, një pjesë e tyre angazhojnë asistentë, dhe disa profesorë bëjnë bashkë nga 2-3 grupe për një ligjëratë me arsyen që të kryhet ligjërata shpejt se nuk ka kohë profesori. Pas kësaj faze të parë të monitorimit të gjendjes në UP, PS-ja publikoi edhe fazën e dytë të monitorimit me emrat e profesorëve që u theksuan në pyetësor nga studentët.
Lista me emrat e profesorëve u patën dorëzuar në Rektorat, në të cilën renditej edhe Besim Beqaj, Enver Hasani, Arsim Bajrami, Hajredin Kuçi, Isa Mustafa, Mazllum Baraliu..., si disa nga profesorët e UP-së që përbënin listën me 83 profesorët e tjerë që u përmenden nga studentët se mungojnë në ligjërata, provime...Studentët denoncuan, por asnjëherë profesorët e kësaj liste nuk u ndëshkuan, madje studentët patën premtuar se nëse nuk do të ketë rezultate konkrete (masa ndëshkuese) ndaj këtyre profesorëve do të bllokohen fakultetet nga studentët, që të mos lejohet që asnjë profesor të hyjë në fakultet, por as kjo nuk ndodhi. /Indeksonline/