EULEX me njësi speciale në veri të Kosovës

Misioni evropian i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX ka formuar një njësi speciale te policise e dedikuar për pjesën veriore të shtetit.
Zëdhënësi i EULEX-it, Christian Klasing ka thënë për agjencinë Tanjug se, edhe pse njësia është formuar në nëntor të vitit të kaluar, qellimi është rekrutimi i njerëzve që do të përfshihen në këtë njësi.
“Shkak për formimin e kësaj njësie është se ka nevojë të luftohet krimi i madh i organizuar, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës”.
Sipas Klasing, përpos policisë, janë të përfshirë edhe gjykatës e doganierë, dhe se ideja është që në zgjidhjen e veprave të rënda penale të punojnë profesionistë.
Klasing ka thënë se EULEX-I ka ekspertë të stërvitur në luftën kundër fallsifikimit të parave, ndërsa fokusi do të jetë edhe në luftën kundër tregtisë me narkotikë e qenie njerëzore, dhe se kombinimi i gjykatësve dhe policëve në këtë njësi e bene efikas këtë grup operativ.
Zëdhënësi i EULEX-it ka thënë se kjo njësi speciale është duke bashkëpunuar me policinë lokale, ndërsa detyrat i merr nga prokuroria e EULEX-it.