E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX ngrinë pasurinë në një rast pronësor

Një gjyqtar i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prizren ka lëshuar një urdhër për ngrirjen e një prone të madhe komerciale në rrugën “Hamdi Mramoni” nr.1, ish Rruga e Shkupit nr.1, prapa Muzeut Kombëtar të Kosovës.

“Kjo pronë është e regjistruar në emër të gruas dhe kunatave të Nuhi Ukës, avokat dhe ish Kryetar i Gjykatës Komunale në Prishtinë. Ai është një nga katër të pandehurit në një hetim të EULEX-it lidhur me pohimet për ushtrim të padisë së rrejshme mbi pronësinë e kësaj prone komerciale. Të pandehurit e tjerë janë Sanjie Muqolli, Fehmi Havolli dhe Naser Krasniqi”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Po ashtu, gjyqtari i procedurës paraprake ka urdhëruar ngrirjen e dy llogarive bankare në të cilat ishte deponuar qiraja për këtë pronë prej vitit 2005.

Efekti i këtij urdhri të gjykatës është që bartësve të pronës dhe të llogarive bankare t’ju pamundësohet shtija apo bartja e pronësisë së kësaj prone, dhe tërheqja e parave nga cila do prej dy llogarive, derisa të mos ketë përfunduar shqyrtimi kryesor për këtë rast. Urdhri për ngrirjen e pasurive njihet edhe si Urdhër për Konfiskim Afatgjatë, i cili parashihet sipas nenit 266 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake e ka lëshuar këtë urdhër pasi i ka dëgjuar dëshmitë e paraqitura nga prokurori i EULEX-it dhe ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar që prona në fjalë dhe të ardhurat nga dhënia e së njëjtës me qira janë fitim i siguruar me anë të veprës penale të paraparë me nenin 264.2 dhe 266.5 të Kodi të Procedurës Penale të Kosovës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›