Gërmia ende e rrezikuar nga minat

Parku i Gërmisë në Prishtinë ende nuk është pastruar nga minat. FSK ka njoftuar se ka nis aksionin për pastrimin e minave në këtë zonë.
“Ftojmë qytetarët që të kenë kujdes nga lëvizjet. Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës njofton opinion e gjerë se Kompania e Deminimit të FSK-së, ka filluar punën për deminimin e zonës së minuar në parkun “Gërmia” në Prishtinë, që nga data 11 prill 2013 dhe do të vazhdoj këtij aktivitet deri në qershor të këtij viti”.
FSK përgjatë tërë perimetrit të zonës së minuar ka vendosur shiritat e verdhë të cilët sinjalizojnë për zonën e rrezikshme, prandaj sipas Forcës së Sigurisë, kjo zonë është rreptësisht e ndaluar për frekuentim nga ana e qytetarëve.
“Deminierët e FSK-së, janë të angazhuar çdo ditë, dhe me punën e tyre janë duke bërë pastrimin e terenit nga minat dhe mjetet tjera të pashpërthyera. Opinioni i gjerë do të njoftohet me kohë me përfundimin e operacionit në parkun e Prishtinës “Gërmia””, bënë të ditur FSK-ja. /Indeksonline/