EULEX shpall fajtor Preleviç për trafikim armësh

Një trup gjykues i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendas, më 16 shkurt të këtij viti ka shpallur Xhevat Preleviç ,nga Bosnja Hercegovina fajtor për “furnizim, transport, prodhim, shkëmbim dhe shitje të paautorizuar të armëve”, në kundërshtim me nenin 327 të Kodit Penal të Kosovës, dhe e ka dënuar atë me 1 vit e 10 muaj burgim.
"Duke e marrë parasysh kohën e kaluar në paraburgim, trupi gjykues nxori një aktgjykim të veçantë duke anuluar masën e paraburgimit ndaj të akuzuarit Preleviç dhe urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm", bën të ditur komunikata e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë - EULEX.
Në prill të vitit 2010, në komunën e Mitrovicës, gjatë kontrollimit të kryer nga njësia patrulluese e Doganës, në veturën e të akuzuarit ishin gjetur 17 pistoleta dhe 9,640 fishekë, të cilat po transportoheshin nga Sarajeva në Kosovë.