E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuper: Bashkëpunimi rajonal, ekstremisht i rëndësishëm

Një ditë para rinisjes së dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ndërmjetësuesi evropian në këtë proces, Robert Kuper, ka numëruar dy çështje që pritet të jenë pjesë e axhendës. Sipas tij, bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Me rëndësi të madhe është marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, zbatimi i së cilës paraqet një proces të komplikuar”, ka thënë Kuper në një bisedë të shkurtër me gazetarët në Bruksel.

Diplomati evropian i ka dhënë rëndësi të veçantë bashkëpunimit rajonal, duke kujtuar se edhe vetë “BE është e bazuar në një gjë të tillë”.

“Politika jonë në Ballkan, gjatë dhjetë vjetëve të fundit ose edhe më gjatë, është përshkruar si `evropianizim`, çfarë do të thotë se bashkëpunimi rajonal është ekstremisht i rëndësishëm”, ka theksuar Kuper.

Pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale ka çuar në ndërprerjen për një kohë të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Autoritetet kosovare kanë këmbëngulur në përfaqësimin e tyre si shtet, përderisa zyrtarët serbë kanë insistuar në Rezolutën 1244.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj, Hashim Thaçi, janë dakortësuar që Kosova në nismat rajonale të përfaqësohet me një fusnotë, ku figuron Rezoluta 1244, ndërsa krahas saj edhe Deklarata e Pavarësisë dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë.

“Pjesëmarrja e plotë e Kosovës në bashkëpunimin rajonal e bën këtë të fundit më efektiv. Një gjë e tillë është mirë për Kosovën edhe për rajonin në tërësi”, ka thënë Kuper sot në Bruksel.

Duke u kthyer te pika e dytë e axhendës, përkatësisht zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri tani, Kuper ka thënë se ato nuk kanë kuptim nëse nuk implementohen.

“Ka pasur progres në implementimin e tyre, por duhet të bëhet edhe më tepër. Ne duhet të fokusohemi më shumë në çështjen e menaxhimit të integruar të kufijve, që marrëveshjen politike ta shndërrojmë në diçka operacionale”, ka thënë Kuper.

Marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit është arritur në fillimin të dhjetorit të kaluar, përkatësisht në raundin e tetë të bisedimeve. Negociatat për çështje teknike ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës kanë nisur në mars të vitit të kaluar. Ato janë zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›