E Shtunë, 31 Tetor 2026

EUROSTAT: “Kriza ekonomike greke prek Shqipërinë”



Ervin KOÇI - Kriza ekonomike që ka prekur fqinjin tonë jugor, Greqinë, ka nisur që të shtrihet gradualisht edhe në Shqipëri. Këtë konstatim e ka dhënë dje edhe agjencia prestigjioze e statistikave të BE-së, “EUROSTAT” e cila duket se e ka mbajtur nën vëzhgim këtë situatë. Të parat që po e ndjejnë krizën janë kompanitë e import-eksportit, si dhe ato të hidrokarbureve, të cilat janë goditur mjaftë nga kjo krizë sidomos nga bllokimi i doganave me shtetin fqinj. Greva e doganierëve grekë ka paralizuar qarkullimin që prej ditës së martë në të gjitha pikëkalimet kufitare me Greqinë. Ajo ka sjellë probleme serioze për shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, por edhe në qarkullimin e automjeteve. Autoritetet në Kakavijë bëjnë të ditur së janë lejuar të kalojnë vetëm këmbësorë ndërsa në të dy anët e kufirit gjenden të parkuara qindra automjete e trajler që nuk kanë mundur të kalojnë. Policia bëri të ditur se është rënë dakord me palën greke për të lejuar kalimin e automjeteve spitalore, si dhe pak automjete që transportojnë kafshë dhe shpendë të gjalla. Rajoni jugor furnizohet në masën 80 për qind me mallra dhe lëndë të para për industrinë prej Greqisë.

Vëzhgimi
Në Greqi, sipas të dhënave të EUROSTAT-it, jetojnë 640 mijë shqiptarë, ndërsa studime të ndryshme tregojnë se rreth 150 mijë familje fshatare në Shqipëri jetojnë falë emigrimit sezonal. Greqia e përjetoi pjesën e parë të krizës botërore me lehtësi të konsiderueshme në krahasim me vendet e tjera europiane, por në shtator u bë e qartë se rritja ekonomike u dedikohej shpenzimeve qeveritare. Në tetor u zbulua se deficiti buxhetor në Greqi ishte shumë më i lartë nga sa qe raportuar më herët dhe se shifrat e bilancit publik qenë të manipuluara. Për pasojë, papunësia filloi të rritej me shpejtësi dhe grekët u bënë më të kursyer. Shumica dërrmuese e emigrantëve shqiptarë atje punojnë në ndërtim, bujqësi apo shërbime shtëpiake. Sektori i ndërtimit është më i godituri nga kriza, për shkak se më shumë se gjysma e biznesit të tij krijohej nga fondet publike, të cilat u thanë me fillimin e krizës.

Bllokimi
Paralizimi aktual i qarkullimit ka ndërprerë shkëmbimet tregtare me shtetin grek dhe pasojat kanë filluar të ndihen menjëherë në ekonominë e rajonit. Bizneset e shitjeve me pakicë në tregun shqiptar, veçanërisht ato të shitjeve të elektro-shtëpiakeve apo mobilieve, kanë regjistruar ecuri jo të kënaqshme shitjesh gjatë festave të fundvitit, gjë që i shtyn të besojnë se emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi kanë filluar të kursejnë si pasojë e krizës që përfshiu fqinjin tonë jugor gjatë muajve të fundit. Rrjetet e shitjeve të mallrave me përdorim afatgjatë, vërejnë rënie të shitjeve në Fier, Kavajë e Lushnjë, zona ku emigrimi në Greqi është më i lartë se sa në pjesën tjetër të vendit. Të dhënat e tregtisë së jashtme flasin për rënie të konsiderueshme të eksporteve të Shqipërisë drejt Greqisë, ndërkohë që edhe importet kanë rënë. Disa fabrika në Korçë që prodhonin veshje për tregun grek raportohen të mbyllura.

Kreditimi
Kriza në Greqi e ka prekur Shqipërinë edhe në drejtim të kreditimit. Gjatë viteve të shkuara, depozitat e grekëve u transferuan për t’u kredituar në Shqipëri, një praktikë që dha një hov të madh zhvillimi në ekonominë tonë. Por gjatë vitit të fundit, edhe ky burim financimi duket se u pakësua. Shqipëria u përball me një rënie të lehtë të remitancave prej 7 për qind gjatë vitit të kaluar, por në fund të vitit, një pjesë e emigrantëve duket se u kthyen në atdhe jo thjesht për pushime. Kjo është një situatë që parashikon vështirësi edhe më të mëdha për të ardhmen.

BOX/////////////////////////////
Samaras: “Nuk u trembemi hetimeve nga BE”

Partia konservatore greke, “Demokracia e Re”, nuk u trembet hetimeve që pritet të ndërmerren nga Bashkimi Evropian për deklarimet e rreme të deficitit buxhetor të Greqisë. Një fakt të tillë e ka pohuar udhëheqësi i opozitës greke, Antonis Samaras. Sipas tij, “Demokracia e Re”, ka asgjë për të fshehur në një hetim për akuzat se nuk ka raportuar siç duhet borxhin e vendit kur ishte në pushtet. Samaras tha pas bisedimeve dje me kryeministrin Jorgo Papandreu, se partia e tij nuk i trembet asgjëje. Samaras tha se, konservatorët nuk janë përgjegjës për krizën ekonomike të Greqisë dhe kritikoi mënyrën sesi po e adresojnë problemin socialistët. Ai shtoi edhe se socialistët nuk i kuptojnë pasojat e një hetimi të tillë, duke sqaruar se një proces i tillë do të dëmtojë edhe më tej imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare. Deputetët socialistë njoftuan të martën se parlamenti do të hetojë akuzat se ish qeveria konservatore nuk raportoi madhësinë e deficitit buxhetor para se të largohej nga pushteti vitin e kaluar.

20 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›