Forumi i Biznesit, Berisha fton në vend investitorët turq
Duke konsideruar rrugën Durrës-Kukës të realizuar nga kompania “Bektel- Enka” si një sukses rajonal, kryeministri Berisha u ka bërë ftesë investitorëve turq që të marrin pjesë në të tjera projekte të infrastrukturës rrugore. Gjatë fjalës së tij në Forumin Ndërkombëtar të Biznesit, Berisha ka vlerësuar infrastrukturën si një ndër fushat ku mund të thellohet bashkëpunimi ekonomik me Turqinë. “Enka dhe Bektel ndërtuan një korridor i cili realisht po ndryshon rajonin çdo ditë e më shumë. Akset e tjera të mëdha rrugore janë në projekt dhe ndërtim e sipër. Në këto 4 vjet Shqipëria duhet të ndërtojë dhe rindërtojë rreth 7000 km rrugë. Në këtë 4 vjeçar, qytetarët shqiptarë duhet të arrijnë në kryeqytetin e tyre në një kohë 2 herë më të shkurtër se përpara këtyre 4 viteve. Ndërtuesit turq, kompanitë e mëdha të ndërtimeve në Turqi janë të mirëpritura, ne jemi të vendosur që të ofrojmë si koncensione ashtu dhe punë publike të financuara nga buxheti i shtetit”- u shpreh kreu i qeverisë, Berisha. Energjetika, turizmi dhe industria kanë qenë të tjerë sektorë që janë prezantuar përpara investitorëve turq si potencial për tu shfrytëzuar. Sipas të dhënave zyrtare, investimet turke në Shqipëri kapërcejnë shifrën e 1 miliard dollarëve dhe ato janë të pranishme në sektorët bazë të ekonomisë, si sistemi bankar, telekomunikacioni, arsimi etj.
SHBA, prodhimet industriale shtrenjtohen me 4.6 %
Çmimet e prodhimeve industriale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pësuar rritje gjatë muajit janar me 1.4 për qind kundrejt muajit paraardhës. Ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, çmimet janë rritur me 4.6 për qind. Rritja më e madhe vërehet te energjia elektrike. Mund të konsiderohet shteti më i fuqishëm në botë, por ndryshe nga pamja dhe nga fantazitë pa fund të Hollivudit, SHBA është mesa duket dhe borxhli më i madh në botë. Plot 800 miliardë dollarë arrin borxhi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë Kinës, raportoi në numrin e saj të fundit, e përditshmja britanike “The Guardian”. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina aktualisht ndodhen brenda një përqafimi të çuditshëm ekonomik, marrë parasysh faktin se borxhi i SHBA ndaj shtetit me popullsi më të madhe në botë, shkon në 800 miliardë dollarë”, raporton gazeta londineze “The Guardian”.
20 Shkurt 2010