EUROSTAT: Shqiptarët, të fundit në Europë për të ardhura dhe për konsum
Agjencia e statistikave për BE-në dhe vendet që aspirojnë anëtarësimin, EUROSTAT, publikon rregullisht një raport për të ardhurat për frymë dhe fuqinë blerëse.
Aktualisht ka publikuar raportin për vitin 2011. Renditja bëhet në mënyrë të tillë: mesatarja e BE për të ardhura për frymë dhe fuqi blerëse ka 100 pikë. Çdo vend më pas renditet duke u krahasuar me mesataren e BE.
Nuk ka asnjë çudi, që kur ka nisur të publikohet ky raport jemi të fundit, si për të ardhura për frymë, ashtu edhe për konsum. Edhe këtë vit nuk bëjmë përjashtim.
Nëse mesatarja e BE është 100 pikë, ne kemi 31 pikë për të ardhurat për frymë, diçka më shumë se tre herë më të varfër se mesatarja e BE. Kurse për konsumin kemi 34 pikë, sërish rreth tre herë më të varfër se mesatarja e BE. Sa i përket të ardhurave për frymë lëmë pas vetëm Bosnjen, që ka 29 pikë. Kurse për konsum jemi të fundit fare me 34 pikë, kurse Bosnja ka 35.
Maqedonia e Serbia janë më lart se Shqipëria, kurse Mali i Zi, Turqia dhe Kroacia kanë një nivel shumë të mirë të ardhurash.
Në krye të vendeve të BE qëndron Luksemburgu, i shkëputur me një diferencë të theksuar nga vendet e tjera, si për të ardhurat për frymë, ashtu edhe për konsumin. Luksemburgu ka 274 pikë për të ardhurat për frymë. Vendi i dytë, Hollanda, ka 131 pikë. Më pas vjen Austria me 129 pikë.
Për konsum Luksemburgu merr 150 pikë. Pastaj vjen Britania e Madhe me 118 pikë dhe Austria me 117 pikë