Eagle në ndihmë të gjuhës shqipe
ALBtelecom dhe Eagle Mobile kanë finalizuar konkursin e shpallur disa muaj më parë “Shkruajmë Bukur Shqipen Tonë”, ku protagonistë ishin nxënësit e grupmoshës 12 deri në 18 vjeç. Në këtë konkurs, ku patën mundësi të marrin pjesë të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, juria përzgjodhi 4 fitues, ndërsa emrat e nxënësve fitues janë Kristina Troka (nga Korça), Kevin Hoxha (nga Tirana), Klaudia Koxha (nga Tirana) dhe Suada Kura (nga Durrësi). Dy çmime nga 500 euro secili, u dhanë për dy nxënës nga shkollat 9 -vjeçare dhe dy çmime të tjera po nga 500 euro secili, për nxënësit nga shkollat e mesme. Shpërndarja e dhuratave për fituesit e këtij projektit është bërë gjatë një ceremonie, ku kanë qenë të pranishëm drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile, z. Orhan Coskun (Xhoshkun), drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, z. Fatmir Vejsiu, znj. Pranvera Kamani inspektore e MASH, 5 anëtarët e jurisë që vlerësuan krijimtaritë e më shumë se 200 nxënësve, si dhe drejtues të lartë të dy kompanive. Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile, dr. Orhan Coskun në fjalën e tij tha se ndihet krenar që ALBtelecom dhe Eagle Mobile kanë arritur të organizojnë një konkurs mbarëkombëtar për shkrimin bukur të gjuhës shqipe. Ai falënderoi mbështetësit e këtij konkursi, Ministrinë e Arsimit dhe profesorët e nderuar të jurisë si dhe shtoi se kënaqësia më e madhe vjen për faktin se në këtë konkurs kanë marrë pjesë më shumë se 200 nxënës, jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga Kosova dhe Maqedonia. “Gjuha është një komponent i rëndësishëm për nxënësit dhe njeriun, pasi mbi të gjitha përmes gjuhës njeriu shpreh në mënyrën më të mirë veten.