E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër – Hani i Hotit, asfaltohen kilometrat e para

Kanë filluar të asfaltohen kilometrat e para të segmentit rrugor Shkodër-Hani i Hotit, konkretisht segmenti në dalje të Koplikut si dhe në by-pass-in e Bajzës. Brenda 3 muajve të ardhshëm pritet të asfaltohen pjesë të qenësishme të këtij segmenti, duke ndikuar dhe në përmirësimin e trafikut në të këtë segment. Aktualisht po punohet në të gjithë pjesën urbane dhe ekstraurbane, në gjashtë urat dhe në veprat të tjera arti, pjesë të këtij segmenti. Ministri Olldashi inspektoi ecurinë e punimeve në këtë segment, ku të pranishëm ishin prefekti dhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës si dhe drejtuesit e firmës italiane që po kryejnë punimet. Gjatë fjalës së tij ministri Olldashi u shpreh se aktualisht është kaluar faza më e vështirë e punimeve, konkretisht faza e punimeve të nëntokës në pjesën urbane të rrugës, dhe të shpronësimeve, që shpesh herë kanë paraqitur problematika specifike.

Ndër të tjera, ministri theksoi se aktualisht është duke u ecur shpejt drejt fazave të tjera të ndërtimit të rrugës, në mbushjen, në rilevimet si dhe në disa segmente dhe me shtrimin e asfaltit. “Brenda një periudhe 3-mujore do të kemi pjesë të qenësishme të këtij segmenti të përfunduara tërësisht, çka do të thotë që do të kemi një trafik shumë më të lirë” - tha Olldashi Ndër të tjera, ministri falenderoi kompaninëe italiane “ClaudioSalini &Salvatore Materrese” dhe nënkontraktorët, për vëmendjen që po i kushtojnë mbajtjes në gatishmëri të këtij segmenti, duke patur parasysh dhe fillimin e sezonit turistik, që siç dihet rrit në mënyrë të ndjeshme trafikun e mjeteve që vijnë dhe shkojnë drejt Malit të Zi nga pika kufitare e Hanit të Hotit. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor me një gjatësi 39 km është një bashkëfinancim i qeverisë italiane dhe qeverisë shqiptare, që kap vlerën e rreth 31.5 milion euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›