E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ebook-ët në rritje

Kalimi - i “jashtëzakonshëm” ose i “dhimbshëm”, varësisht nga këndvështrimet - ka ndodhur. Amazon, libraria online më e popullarizuar në botë, shet më shumë libra elektronikë sesa tradicionalë, një trend që duket tashmë i pandalshëm.

“Në tre muajt e fundit, për çdo 100 libra të lidhur të shitur, Amazon.com ka shitur 143 sosh në version digjital në lexues Kindle”, ka bërë të ditur shoqëria, duke saktësuar se e dhëna ka të bëjë vetëm me botimet e reja e jo vëllimet e xhepit. Kapërcimi ka qenë i mundur falë politikës së re të çmimeve të Kindle: Amazon e ka ulur së fundmi në 189 dollarë për t’i bërë ballë konkurrencës me tavolinën popullore iPad të Apple. E boomi është veç në nismë. Muajin e kaluar, dyqani online ka shitur 180 libra në Kindle për çdo 100 libra tradicionalë: një mrekulli, po qe se kihet parasysh se katalogu i Kindle përfshin vetëm 630 mijë libra, një copëz tejet e vockël e të gjithë titujve të disponueshëm në Amazon.

Evolucioni digjitalë i botimit është tashmë duke e ndarë në dysh botën letrare amerikane. “Është një derman”, pohon autori i trilerit James Patterson, i pari që ka shitur më shumë se një milion kopje librash elektronikë falë bestsellerëve të serisë Alex Cross. “Jam i kënaqur – teorizon autori – nëse ebook-ët ndihmojnë njerëzit që kurrë s’kanë lexuar ta marrin një libër në dorë”.

Deklarohet entuziast edhe mjeshtri i suspense Stephen King, një tjetër kampion botëror i shitjeve, që prillin e kaluar ka botuar edicionin ebook të mundit të tij të fundit Blockade Billy, një muaj para daljes së botimit në letër, botuar nga Scribner, mbështetëse e kolosit Simon and Schuster, në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada. E në shkurt të vitit 2009 vetë King-u kishte shkruar një tregim ekskluzivisht për Kindle.

Por nëse autorët më komercialë pajtohen, për arsye të natyrshme utilitaristike, për t’i bërë hosana rrjedhës së re, entuziazmi pakësohet derisa të zhduket për fare mes shkrimtarëve më pak të lexuar. Poetët në krye. Shumë nga ta ankohen për faktin se poezia bashkëkohore mungon pothuajse krejtësisht në tregun e ebook-ëve. Të paktit që ia dalin mbanë të futen në të e denoncojnë “formatimit të keq” të pësuar nga rimat e tyre në kibërhapësirë.

“Një strofë imja prej tri vargjesh është shndërruar në një prej katër sosh, për arsye që s’kanë aspak të bëjnë me poezinë”, denoncon Billy Collins, njëri prej poetëve amerikanë më të lexuar. “Ebook-ët janë anatemë e poezisë”, shfryhet Collins, përmbledhja e fundit me poezi e të cilit, Ballistics, është botuar në shkurt.

Kjo padurueshmëri jehon në kritikat anti-Kindle të hedhura vitin e kaluar nga kritiku i autoritetshëm letrar i «New York Times» Charles McGrath, të ripërsëritura së fundmi nga shkrimtari-gazetari Verlyn Klinkenborg, anëtar i editorial board të vetë New York Times, sipas të cilit poezia dhe ebook-ët janë të “papajtueshme” mes vete. Por sfida e vërtetë, sipas disave, është një tjetër. “Sforcimi i botuesve për t’i kontrolluar, duke i ngrirë, të drejtat elektronike të ebook-ëve është e padrejtë dhe duhet të ndryshojë”, pohon presidenti i Society of Authors britanike, Tom Holland.

“Shtëpitë botuese sot përpiqen të kenë kontrata me kohë të pacaktuar me autorët për veprat e tyre në editim ebook – thekson ai – por t’ua caktosh një çati fitimeve nga e drejta e autorit është e penalizuese në rast se ebook-u do të bëhej bestseller. Me rritjen e formatit ebook dhe mungesa e çmimeve tipike të botimeve në letër – përfundon Holland – shtëpia botuese në të ardhmen do të fitonte pafundësisht më shumë se autori”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›