E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kitarë nën erërat e Lumëbardhit

Ndoshta nuk ka pasur në Kosovë koncert me publik më të qetë, se ai i kitaristit të famshëm kosovar Petrit Ceku. Për më shumë se një orë, Ceku gjatë recitalit të tij, u përcoll vetëm nga shushuritja e gjetheve të Lumëbardhit.

Vetë hapësira dukej si një amfiteatër i vjetër romak, edhe pse natyra e kinemasë së hapur është shumë më prozaike. Menaxhohet keq, duket edhe më keq, dhe ka probleme të shumta pronësore. Të gjitha këto nuk penguan zhvillimin e një koncerti shumë intim që la përshtypje te ata që patën fat të hyjnë në platenë e stërmbushur të kinemasë verore. Në Prizren kishin ardhur edhe autobusë nga Prishtina, enkas për koncertin e Çekut, dhe nuk u kthyen të dëshpëruar.

Kitaristi performoi i vetëm në skenën e vjetër. Ndriçimi ishte minimal, ndërsa zërimi i thjeshtë. Pas introduksionit të organizatorit, filloi koncerti i cili krijoi atmosferë të veçantë për publikun.

Veprat e para ishin më ngadalshme. Programi filloi me një Preludio për fuga dhe allegro të Johan Sebastian Bachut dhe vazhdoj me një sonatë të Manuel Ponces.

Me rritjen e presionit atmosferik dhe frymës, thuasa filloi të rritet edhe tensioni te kitaristi i cili në vazhdim të programit shkëlqeu me interpretim të Joaquin Rodrigo dhe Augustin Barrios si dhe Leo Brouwerit. Fundi mbeti në gjysmë ngase ezani i xhamive të Prizrenit ndërpreu qetësinë totale në Lumbardh.

Pasoi aplauzi frenetik dhe lule të shumta për artistin. Fjalë miradije dhe mediat që vraponin pas kosovarit të talentuar dhe të njomë me moshë.

Me gjasë edhe Festivali urban plotësoi dy nga parametrat matës – ngjarja ishte urbane dhe verore.

Për vazhdim të verës është paralajmëruar koncerti i bendit të famshëm anglez Morcheeba, por për ata që ishin në Prizren të martën në mbrëmje, pak çka mund ta mund elokuencën muzikore dhe mjeshtërinë e prizrenalisë Petrit Ceku. (Express)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›