E Diel, 1 Nëntor 2026

Edgar Çani huazohet te Karpi, De Biazi elozhe Etrit Berishës

Edgar Çani ndërron ekip. Sulmuesi shqiptar është huazuar nga Katania për te Karpi në Serinë B, duke dashur që të ketë më shumë hapësirë aktivizimi. Lajmin e kanë deklaruar të dy klubet që kanë bërë marrëveshjen. Ndërkohë, bëhet më i vështirë tani transferimi i Elseid Hysajt te Lacio. Kjo pasi skuadra e “shqiponjave” ka bërë të ditur se ka rinovuar për 5 vjet me Cavanden, që luan në të njëjtin rol me Hysajn. Ndërsa për të mësuar më shumë për portierin shqiptar Etrit Berisha, mediet italiane kanë pyetur trajnerin e Shqipërisë, Xhani De Biazi, që ka thënë: “Është një portier me një të ardhme të madhe, ka një fizik të shkëlqyer, shumë i zoti në portë. Një lojtar që nuk emocionohet lehtë, ka një ftohtësi të jashtëzakonshme, dhe mund të bëjë një punë të mirë edhe te Lacio.” Mesfushori i Grasshopersit, Amir Abrashi, ka treguar edhe një herë për mediat helvete se nuk ndien pendesë pse ka zgjedhur Shqipërinë. Shtatshkurti, që akoma nuk ka debutuar me ekipin e De Biazit, pritet të marrë ftesë në ndeshjen miqësore kundër Armenisë, që luhet në muajin gusht. (E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›