Edhe IKD kundër ligjit për amnisti

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar kundër Projektligjit për Amnistinë. Sipas tyre, ky projektligj ka dështuar t’i përmbahet qëllimeve politike dhe të përmbajë elementet e nevojshme sikurse kërkohet me dokumente ndërkombëtare për zbatimin e amnistisë .
“Ky Projektligj nuk duhet të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës sepse si i tillë nuk siguron paqe të qëndrueshme dhe integrim të gjitha pjesëve dhe komuniteteve të Kosovës, por cenon rëndë shtetin ligjor dhe shënon përmbysje të rendit juridik dhe ligjor në Kosovë”, thuhet në komunikatën e IKD-së.
Ata kanë cekur se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka qenë aspak transparente dhe në opinion kanë qarkulluar versione të ndryshme të këtij projektligji, por asnjëherë projektligji me këtë përmbajtje. “Rrjedhimisht, kemi një projektligj i cili më shumë paraqet një ujdi që ka shkuar keq sesa një projektligj që synon arritjen e ndonjë qëllimi të mirë politik”, thuhet më tej.
Ata kanë shtuar se në emër të transicionit po përfshihen më shumë vepra kriminale që të falen.
“Projektligji ka përzier Amnistinë që bëhet në kohë Tranzicioni/Gjendje të jashtëzakonshme me Amnisti që bëhen në kohë Paqeje. Në emër të integrimit të tri komunave, nuk mund të përfshihen vepra kriminale të cilat kanë cenuar seriozisht të drejtat dhe liritë e njeriut për shumë viktima (përfshirë ato në veri), apo vepra penale që janë kryer për qëllime dhe përfitime individuale dhe jo për qëllime të caktuara politike”, thuhet në komunikatën e IKD-së.
Ata kanë thënë se me këtë ligj, do të falen ata që janë pasuruar nga krimi me kontrabandë në veri.
“Projektligji përfshin një sërë krimesh të karakterit ekonomik, të cilat e kanë dëmtuar ekonominë dhe buxhetin e Kosovës. Në këtë rast “qëllimi politik shtetëror” është amnistimi i kriminelëve, të cilët përmes aktiviteteve kriminale janë bërë milionerë si nga ana e serbëve ashtu edhe shqiptarëve”, vazhdon komunikata.
IKD ka konstatuar se një ligj i tillë do të çojë në dështim të amnistisë./Indeksonline/