E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Kadare në esperanto

Së shpejti “Pallati i ëndrrave” i Ismail Kadaresë dhe cikli i plotë i poezive të Luljeta Lleshanakut do të botohen në gjuhën esperanto, e folur nga 2 milionë njerëz në të gjithë botën.

Pas Fatos Kongolit, në gjuhën esperanto do të botohet së shpejti “Pallati i ëndrrave” i Ismail Kadaresë dhe cikli i plotë i poezive të Luljeta Lleshanakut. Këtë gjë e ka bërë të ditur përkthyesi dhe esperantisti Bardhyl Selimi gjatë promovimit të romanit “Lëkura e qenit” të Kongolit në këtë gjuhë.

Esperanto është një gjuhë e krijuar mbi bazë gjuhët latine, me synimin për t’u folur nga të gjithë popujt. Në botë janë rreth 2 milionë persona që e flasin këtë gjuhë. Sipas Selimit, Shqipëria numëron rreth 450 esperantistë që kanë ndjekur kurse për këtë gjuhë, por sipas tij, mund të ketë edhe të tjerë që e mësojnë në mënyrë individuale.

Selimi është shprehur për mediat shqiptare se ata kanë marrë tashmë lejen e Kongolit për botimin në këtë gjuhë edhe të librit të tij “I humburi”. Megjithatë, romani “Lëkura e qenit” nuk është libri i parë shqiptar i botuar në këtë gjuhë. I pari libër i një autori shqiptar i shkruar në esperanto daton që në vitin 1929.

“Është ‘Historia e Skënderbeut’, shkruar në origjinal në esperanto nga Cuk Simoni. Në vitin 1905 ne kemi edhe esperantistin e parë shqiptar, Dom Lazër Shantojan për të vazhduar me kardinalin e parë, Mikel Koliqin dhe vëllain e tij Vilhem Koliqi, profesor Zef Kakariqi dhe plot të tjerë, që në fillimet e shekullit të kaluar.

Përmes këtyre botimeve ne duam të promovojmë gjuhën, por edhe kulturën shqiptare me anë të një gjuhe që shërben si urë për të komunikuar njerëzit e kulturave të ndryshme”, shprehet Selimi, i cili tregon se gjuhën esperanto e ka mësuar në vitin 1961 në një kurs tremujor me një doracak të vogël.

Sot, sipas tij, njerëzit kanë mundësi të gjejnë edhe në internet fjalorë e metodologji për mësimin e kësaj gjuhe. Sipas të dhënave që ai disponon, që nga viti 1993 kanë kaluar nëpër kurse të paktën 450 shqiptarë, të cilët kanë kryer shkolla jashtë shtetit dhe e përdorin gjuhën esperanto si gjuhë pune, 20 prej tyre kanë marrë diplomën dhe 2 janë për master.

Referuar datimit më shumë se 100-vjeçar të esperantistit të parë shqiptar, Selimi thotë se ka një lloj zbehjeje interesi, por e argumenton këtë me qëndrimin e përgjithshëm që mbahet ndaj kësaj gjuhe. “Kjo është e kuptueshme për problemet që hasin esperantistët: presioni politik nga fuqitë e mëdha sidomos anglishtfolëse dhe problemi konservativ, d.m.th. kur nuk e njeh një gjuhë e ke të vështirë ta përvetësosh.

Gjuha esperanto është sot funksionale dhe mund të funksionojë edhe si gjuhë e përbashkët e Bashkimit Europian, në kushtet kur ata kërkojnë një gjuhë të përbashkët, por nuk bien dakord, për shkak të xhelozive kombëtare.

Esperanto nuk pretendon të krijojë një popull të veçantë, por një gjuhë urë për të ndihmuar njerëzit të merren vesh më lirisht pa komplekse dhe për të mbrojtur kulturat”, thekson Selimi. Sipas tij, përkthimi i Kongolit në këtë gjuhë ka pasur vështirësitë e veta, por ka qenë më i lehtë se përkthimi në gjuhë të tjera. Gjuha esperanto ka një alfabet me 26 shkronja dhe sipas Selimit, edhe një gramatikë të thjeshtë, pa rregulla përjashtuese.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›