E Shtunë, 31 Tetor 2026

9 milionë paund për librin më të vjetër në Europë

Libri më i vjetër europian, i padëmtuar nga koha, i cili ishte vendosur në arkivolin e një shenjti për qindra vjet me radhë, është blerë nga Biblioteka Britanike për 9 milionë paund.

Libri i shekullit të shtatë, ‘Ungjilli i Shën Kuthbertit’, është paraqitur në Bibliotekën “King’s Cross”, në veri të Londrës. Përpjekjet për të mbledhur fondin disa milionësh për këtë libër janë bërë prej shumë kohësh nga britanikët. Libri u krijua në Veri të Anglisë në fund të shekullit të 7-të dhe u varros bashkë me shenjtin Kuthbert, një lider i hershëm kristian anglez, në ishullin Lindisfarne, rreth vitit 698.

Arkivoli më pas u hoq nga ky ishull për t’i shpëtuar mësymjes së vikingëve dhe u dërgua në Durham. Ky libër, që është një kopje e Ungjillit të Shën Gjonit, u gjet kur arkivoli u hap në këtë katedrale në vitin 1104. Kapaku i tij, i krijuar me lëkurë të kuqe, ka rezistuar fare mirë edhe sot.

Kontributi më i madh në fushatën e mbledhjes së fondeve që t’i mundësonte këtë libër Bibliotekës së Londrës ishte 4.5 milionë paund dhe u bë nga Fondi Nacional i Memorialit të Trashëgimisë. Dama Line Brandlej, kryeudhëheqesja e Bibliotekës Britanike, tha se “të shikosh këtë thesar të vogël dhe intensiv nga periudha anglo-saksone, është ta shohësh atë ekzakt siç e kanë parë ata që e krijuan në shekullin e shtatë. Stili, faqet, madje dhe struktura e qepjes së librit na ofron një lidhje të drejtpërdrejtë me paraardhësit tanë 1.300 vjet më parë”, tha ajo.

Shën Kuthberti ka lindur rreth vitit 634, në Northumbria dhe njihet si një nga shenjtët më të rëndësishëm të Mesjetës në Angli. Nisi si murg dhe vazhdoi karrierën fetare derisa u bë peshkopi i Lindisfarnes, por nuk e mbajti gjatë këtë post pasi u sëmur. Ai u varros në Lindisfarne në vitin 687 dhe më pas e zhvendosën në Durham për ta shpëtuar nga plaçkitjet e vikingëve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›