Edhe Kosova nis çeljen e fondeve për ndërtimin e segmentit Morinë-Prishtinë të aksit ndërshqiptar
Qeveria e Kosovës miratoi dje vendimin e Ministrisë së Transportit për shpronësimin pronave të paluajtshme për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar, më saktë për segmentin Vërmicë-Prizren. Ministra e Financave ka ndarë 13 milionë euro për fillimin e shpronësimit, por për gjithë autostradën Morinë-Mërdar. Qeveria miratoi edhe projektligjin për anëtarësimin e Kosovës në FM dhe në BB. Kryeministri Thaçi tha se do të kërkojë nga Kuvendi që këtë projektligj ta miratojë me procedurë të përshpejtuar.
Fillojnë procedurat për realizimin autostradës Vërmicë-Merdar. Procedura e parë është shpronësimi i pronave. Qeveria miratoi sot vendimin e Ministrisë së transportit për shpronësimin pronave të paluajtshme për nevoja të ndërtimit të autostradës Vërmicë –Mërdar, fillimisht për segmentin Vërmicë-Prizren. Ministri Fatmir Limaj theksoi se janë bërë të gjitha përgatitjet për ekzekutimin e punimeve në këtë segment të autostradës. “MTPT dhe komuna e Prizrenit do të ndërmarrin veprime procedurale për shpronësimin e pronave të paluajtshme për segmentin e autostradës Vërmicë- Prizren, që ne e quajmë si segment A dhe pastaj neve na krijohet mundësia për të filluar dhe vazhduar procedurat e shpronësimit”, ka sqaruar ministri Limaj. Në komunën e Prizrenit gjithsej do të shpronësohen mbi 239 hektarë. Në këtë zonë, pronësi private janë rreth 150 hektarë, ndërsa pronësi shtetërore mbi 88 hektarë. Ministri i financave Ahmet Shala shpjegoi gjendjen financiare. Ai tha se ministria ka ndarë fillimisht 13 milionë euro për shpronësim, por për gjithë korridorin e autostradës Morinë -Merdar. “Janë të alokuar 13 milionë euro. Natyrisht këto para janë të alokuar për fillim, për gjithë segmentin Merdar-Morinë, por natyrisht vlera e tregut do të përcaktojë se si do të shfrytëzohen. Por, ne në buxhet i kemi paratë për fillimin e shpronësimit”, ka shpjeguar ministri Shala. Çështja e shpronësimit duket të jetë më komplekse edhe për shkak të interpretimeve të ndryshme të ligjeve dhe rregulloreve për çështje të shpronësimit. Për këtë arsye qeveria miratoi kërkesën për zgjatjen e mandatit të komisionit ndërministror, i cili ka pasur për obligim të përgatisë ofertën e shprehjes së interesit për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Mërdar, e që do të mbikëqyrë edhe ekzekutimin e punimeve të realizimit të autostradës. Në mbledhje, qeveria miratoi edhe Projektligjin për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në organizatat e Grupit të Bankës Botërore. Për shkak të rëndësisë së këtij projektligji qeveria do të kërkojë nga Kuvendi që atë ta shqyrtojë dhe ta miratojë me procedurë të përshpejtuar. Ndërkohë po bëhen përgatitjet e nevojshme për takimin e Forumit të lartë me donatorët që do të mbahet në Prishtinë me 31 mars. Kryeministri Hashim Thaçi kërkoi nga të gjithë ministrat angazhim dhe përgatitje profesionale për t’u prezantuar para donatorëve. “Ne çdo ditë me punën apo mos punën tonë e shkruajmë raportin e progresit nga Komisioni Evropian, studimin e fizibilitetit, për çka duhet të jemi të kujdesshëm, të përgatitur dhe shumë të angazhuar. Sfidat e identifikuara duhet të plotësohen dhe po plotësohen me përpikëri dhe do kërkoj raport çdo muaj nga ju ministra”, ka thënë kryeministri Thaçi. Kryeministri tha se do të rishqyrtohet planin i partneritetit evropian duke përfshirë sfidat e reja dhe obligimet e qeverisë. Për këtë ai kërkoi angazhim gjithëpërfshirës.